20 vite pritje për filmin e Anderson/ “One Battle After Another” publikohet më në fund
Një nga projektet më të gjatë në përgatitje në Hollywood ka mbërritur më në fund në publik. Filmi “One Battle After Another”, i konceptuar nga regjisori Paul Thomas Anderson rreth 20 vite më parë, është shndërruar në realitet duke mbledhur një kast të jashtëzakonshëm me Leonardo DiCaprio, Benicio del Toro dhe Sean Penn.
I frymëzuar nga romani Vineland i autorit Thomas Pynchon, filmi përzien satirën politike me komedinë e zezë dhe elementët e aksionit. Në qendër të ngjarjes është Bobby, një ish-revolucionar i izoluar nga shoqëria, i luajtur nga DiCaprio, i cili nis një udhëtim të rrezikshëm pasi vajza e tij zhduket në rrethana misterioze. Për ta gjetur, ai ribashkohet me ish-bashkëpunëtorët dhe përballet me një armik të vjetër.
Në krah të tij shfaqet Benicio del Toro si Sergio, një instruktor arteve marciale, ndërsa Sean Penn portretizon një antagonist tragjikomik, duke sjellë në ekran një tension të fortë dramatik. Anderson ka synuar ta kthejë këtë histori në një reflektim të thellë mbi polarizimin shoqëror dhe ekstremizmin e kohëve moderne.
Vetë DiCaprio e përshkroi filmin si një pasqyrë të përçarjes që po rritet në kulturën bashkëkohore. “Mban një pasqyrë ndaj shoqërisë dhe flet për polaritetin e madh që po jetojmë,” u shpreh ai për BBC.
Filmi ka marrë vlerësime të jashtëzakonshme nga mediat prestigjioze. The Guardian, The Telegraph dhe The Independent i dhanë pesë yje, ndërsa The Times e cilësoi si “një arritje karriere” për DiCaprio dhe një favorit për çmimet Oscar. Me një buxhet prej 175 milionë dollarësh dhe një regji vizionare, “One Battle After Another” synon të lërë gjurmë si një nga filmat më të rëndësishëm të vitit.
