“BASHKË PËR PALESTINËN”, ART E POLITIKË! Koncerti në Londër, 1.5 mln Paund për fëmijët e prekur nga lufta
Koncerti “Together for Palestine” në Londër mblodhi mbi 1.5 milionë paund për civilët e prekur nga lufta në Gaza. Artistë e aktorë botërorë sollën mesazhe solidariteti dhe thirrje për armëpushim.
“Together for Palestine” bashkoi në Wembley Arena” të Londrës dhjetëra artistë e aktivistë në një koncert bamirësie për civilët e prekur nga lufta në Gaza.
Mes performuesve ishin Bastille, James Blake, Paloma Faith, Jamie xx, PinkPantheress, por edhe artistë palestinezë si Sama’ Abdulhadi, Saint Levant dhe Elyanna, që sollën në skenë tingujt dhe dhimbjen e popullit të tyre.
Një moment simbolik ishte performanca e Paloma Faith, e veshur me një fustan të qepur nga kefije – simbol i identitetit palestinez.
Organizatori Brian Eno recitoi poezinë “Oh rascal children of Gaza”.
Aktorët Florence Pugh, Nicola Coughlan dhe Benedict Cumberbatch folën hapur kundër heshtjes së figurave publike për pasojat e luftës
Në skenë u ngjitën edhe Benedict Cumberbatch, ish-futbollisti Eric Cantona, si dhe përfaqësues të OKB-së.
Përpara koncertit, dhjetëra yje botërorë publikuan një video ku kërkuan armëpushim në Gaza. Mes tyre ishin këngëtarja Billie Eilish, aktori i “Oppenheimer” Cillian Murphy dhe fituesi i Oscar-it Joaquin Phoenix.
Në fund të mbrëmjes, aktorja Jameela Jamil njoftoi se ishin mbledhur mbi 1.5 milionë paund për fëmijët, të plagosurit dhe jetimët në Gaza.
Fondet do të shpërndahen përmes Choose Love dhe organizatave partnere në terren.
Koncerti në Wembley nuk ishte vetëm art. Ishte edhe një deklaratë politike dhe thirrje humanitare, që i bashkoi zërat e yjeve botërorë me thirrjen e miliona njerëzve për paqe në Gaza

