Lirimi i brezit 700 MHz, hap drejt rrjeteve 5G dhe përafrimit me BE-në

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për lirimin e frekuencave të Digjital Divident dy (DD2)”, që synon lirimin e brezit të frekuencave 700 MHz, aktualisht i përdorur për transmetime televizive tokësore. Ky brez do të vihet në dispozicion të rrjeteve moderne të komunikimeve elektronike, përfshirë ato 4G dhe 5G.

Për të garantuar që publiku të mos humbasë aksesin në programet televizive gjatë këtij tranzicioni, shteti do të kompensojë pjesërisht kostot shtesë të operatorëve televizivë për përshtatjen me frekuencat e reja.

Sipas dokumentit zyrtar, kompensimi financiar, në vlerën prej 5,1 milionë euro, do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe do të përfshijë si kostot teknike të migrimit të frekuencave, ashtu edhe një fushatë informuese për publikun mbi ndryshimet në shpërndarjen e kanaleve televizive.

Fondet e kompensimit do t’i transferohen Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), i cili do të jetë përgjegjës për administrimin e procesit dhe raportimin për zbatimin e tij pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Ministrisë së Financave.

Pas përfundimit të lirimit, frekuencat e brezit 700 MHz do të kalojnë në administrim të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që do të mundësojë përdorimin e tyre nga rrjetet e komunikimeve elektronike të brezit të pestë (5G).

Ky proces përfaqëson gjithashtu një angazhim të Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian, duke zbatuar vendimin e Parlamentit dhe Këshillit Evropian, për përdorimin e brezit 470-790 MHz, i përfshirë si detyrim në kapitullin 10 të negociatave me Bashkimin Evropian: “Transformimi Digjital dhe Media”.

Lirimi i këtij brezi do të shërbejë edhe për zgjidhjen e problemeve të interferencës së sinjalit televiziv në zonat kufitare me vendet fqinje, duke përmirësuar cilësinë e transmetimit.

Të ardhurat që pritet të gjenerohen nga dhënia në përdorim e këtyre frekuencave për rrjetet 5G pritet të kompensojnë plotësisht, madje të tejkalojnë shpenzimet buxhetore.

Vetëm nga licencimi i frekuencave në brezin 3,4 GHz për rrjetet 5G, në vitin 2024 janë arkëtuar mbi 10,8 milionë euro.

Në hartimin e projektligjit kanë kontribuar Ministria e Financave dhe Ekonomisë, AMA, AKEP, si dhe përfaqësues të asistencës teknike të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Technical Assistance for The Telecommunications Sector”.

Pas përfundimit të fazës së konsultimit publik, projektligji pritet të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave dhe më pas të dërgohet për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë.