Skandal në Dubai/ BBC dokumenton rrjet ab*zimi, dy gra të reja ugandase pa shenja jete në rrethana misterioze
Një hetim i gjerë i BBC-së ka zbuluar ekzistencën e një rrjeti të shfrytëzimit seksual në Dubai, të drejtuar nga Charles Mwesigwa, një burrë që dikur ka deklaruar se ishte shofer autobusi në Londër.
Ai ofronte gra për festa luksoze seksuale në qytetin e Emirateve, me një çmim minimal prej 1,000 dollarësh për natë, duke shtuar se ato ishin të gatshme të bënin “pothuajse gjithçka” që klientët kërkonin.
Shumë prej grave, kryesisht nga Uganda, mendonin se po udhëtonin drejt Gjirit për punë të rregullta në supermarkete apo hotele, por përfundonin të bllokuara në një cikël borxhesh, shfrytëzimi dhe dhune.
Hetimi ka zbuluar raste ekstreme të abuzimit, ku klientë kryesisht evropianë me fetishë degradues i detyronin gratë të nënshtroheshin ndaj akteve çnjerëzore.
Një prej tyre, e identifikuar si “Mia”, dëshmon se përveç seksit të dhunshëm, ato ishin të detyruara të duronin akte poshtëruese, duke përfshirë edhe praktika të lidhura me hashtagun famëkeq #DubaiPortaPotty, i cili ka qarkulluar për vite me radhë në rrjetet sociale.
Historia bëhet edhe më tragjike nga fakti se dy gra të lidhura me këtë rrjet, Monic Karungi dhe Kayla Birungi, kanë humbur jetën pasi ranë nga apartamente shumëkatëshe në Dubai.
Edhe pse rastet u regjistruan si vetëvrasje, familjet dhe miqtë e tyre dyshojnë se policia nuk ka kryer hetime të plota. Monic, e cila ishte zhvendosur nga Uganda me shpresën për një punë të rregullt, kishte shprehur dëshirën për t’u larguar nga kontrolli i Mwesigwa-s, por pak ditë më vonë ajo vdiq në rrethana të dyshimta.
Një i afërm i saj, që jetonte në Emirate në kohën e ngjarjes, rrëfeu se kishte parë personalisht Mwesigwa në shoqërinë e grave dhe klientëve në ambiente ku droga dhe abuzimi seksual ishin të përditshme. “Dubai është i imi… Unë jam ambasada”, mësohet të ketë thënë Mwesigwa, duke u mburrur se ishte i paprekshëm nga autoritetet.
Megjithatë, ai i mohon akuzat, duke pretenduar se është thjesht një njeri që organizon festa dhe që tërheq shumë vajza për shkak të kontakteve të tij.
BBC kërkoi zyrtarisht të shihte dosjet e policisë në lidhje me vdekjen e Monic Karungi-t dhe Kayla Birungi-t, por autoritetet në Dubai nuk iu përgjigjën kërkesës.
Rasti i tyre ka nxjerrë në pah pasojat e rënda të migracionit ekonomik nga Uganda drejt Gjirit, ku shumë të rinj shpresojnë të gjejnë punë, por përfundojnë të shfrytëzuar dhe pa rrugëdalje.
Aktivistët ugandezë paralajmërojnë se dhjetëra gra të tjera mund të jenë ende viktima të këtij rrjeti të errët që funksionon në hije, ndërsa familjet e viktimave kërkojnë drejtësi dhe hetim të plotë për vdekjet e vajzave të tyre.
Ky skandal pritet të hapë një debat të gjerë mbi heshtjen e autoriteteve dhe rolin e rrjeteve të trafikut në një prej qendrave më luksoze të botës./ BBC
