Berati, turistë edhe në vjeshtë/ Qyteti i një mbi një dritareve, 500 mijë vizitorë nga janari deri në gusht
Turizmi në Berat nuk mbaroi me verën. Qyteti i një mbi një dritareve, është një nga destinacionet që nuk e ka humbur fluksin e vizitorëve edhe në Vjeshtë.
Berati cili ruan trashëgimi historike dhe kulturore ka regjistruar rreth 500 mijë vizitorë vendas e të huaj nga janari deri në muajin gusht.
Qyteti, pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ka vizitorë në çdo stinë, ndërsa sipas agjencive turistike pritet që e njëjta situatë dhe në muajt shtator e tetor.
Vizitorët si vendas, ashtu edhe të huaj nuk largohen nga qyteti pa vizituar edhe muzeun “Onufri”, i cili është një prej destinacioneve më të vizituar ndër sitet kulturore të qytetit të Beratit.
Në këtë muze këtë vit janë numëruar nga janari deri në gusht rreth 61.668 vizitorë vendas e të huaj. Ata kanë treguar interes për koleksionin e muzeut të përbërë nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.
Fluksi i madh i turistëve vendas dhe të huaj e ka shndërruar turizmin në industri më vete dhe në një shtyllë kryesore që vë në lëvizje ekonominë e Beratit.
Por jo vetëm qyteti i Beratit. Këtë vit gjatë sezonit turistik qytete si Tirana, Durrësi, qytet e rivierës shqiptare si dhe Gjirokastra kanë pasur një numër të lartë të vizitorëve, kryesisht të huaj.
