Flick konfirmon dëmtimin e Yamal, bën me faj Spanjën
Lamine Yamal do të humbasë ndeshjen e nesërme (e diel) kundër Valencias dhe gjithashtu mund të jetë jashtë ndeshjes së Ligës së Kampionëve me Newcastle.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, e konfirmoi dëmtimin e yllit të skuadrës, teksa nuk hezitoi të kritikojë kombëtaren e Spanjës.
“Lamine Yamal nuk do të jetë i disponueshëm kundër Valencias.
Ai iu bashkua Kombëtares me dhimbje dhe nuk u stërvit”, ka thënë fillimisht Flick në konferencë.
“Spanja i dha qetësues kundër dhimbjeve dhe madje edhe kur fitonin, e detyronin të luante. Spanja nuk po kujdeset për lojtarët. Jam shumë i trishtuar për këtë.
Mendoj se kombëtarja spanjolle ka një skuadër të shkëlqyer, lojtarët më të mirë në botë, por ata nuk janë kujdesur për lojtarët e tyre dhe ky është një lajm që më trishton", deklaroi tekniku gjerman i Barcelonës.
Pas konferencës së trajnerit Flick, dëmtimin e Yamal e konfirmoi edhe faqja zyrtare e Barcelonës me anë të një postimi.
“Lamine Yamal po përjeton shqetësime në zonën e poshtme të barkut dhe aktualisht nuk është në gjendje të stërvitet ose të luajë. Kthimi i tij në stërvitje do të varet nga evolucioni i gjendjes së tij”, thuhet në njoftim.
