Britania nis prodhimin në masë të dronëve për Ukrainën

Britania e Madhe do të prodhojë në masë dronë interceptues të teknologjisë së lartë për të ndihmuar Ukrainën në përballjen me sulmet ajrore ruse.

Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, dronët e projektuar nga Ukraina me ndihmën e ekspertëve britanikë kanë treguar efektshmëri të lartë kundër dronëve iranianë “Shahed” të përdorur nga Moska dhe kushtojnë shumë më pak se raketat tradicionale të mbrojtjes ajrore.

Sekretari i Mbrojtjes, John Healey, do të prezantojë projektin të sot  në panairin ndërkombëtar të industrisë së mbrojtjes “DSEI” në Londër. Ky është hapi i parë në kuadër të një marrëveshjeje të re teknologjike me Kievin, e firmosur javën e kaluar në kryeqytetin ukrainas.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, e cilësoi partneritetin si një “moment historik”, duke theksuar se ai jo vetëm që do të ndihmojë Ukrainën kundër agresionit rus, por gjithashtu do të krijojë vende pune dhe të ardhura për Britaninë.

“Healey deklaroi se industria britanike e mbrojtjes do të punojë me ‘ritme lufte’ për të mbështetur sigurinë e Ukrainës dhe të NATO-s, si dhe për të forcuar rritjen ekonomike vendase”.

Prodhimi i dronëve vjen pas shkeljes së hapësirës ajrore polake nga dronë rusë, të cilët u rrëzuan nga forcat polake dhe aleatët e NATO-s.

Healey dënoi incidentin, duke e quajtur “të pamatur” dhe konfirmoi se Britania po shqyrton opsione për të forcuar mbrojtjen ajrore të Polonisë.