Kumrija: Bashkimi familjar për refugjatët në Mbretërinë e Bashkuar pezullohet përkohësisht
Avokati i emigracionit, Saimir Kumrija, njoftoi në "Ora News" se nga 1 shtatori janë pezulluar përkohësisht aplikimet e reja për bashkim familjar për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit në Mbretërinë e Bashkuar.
" Fatkeqsisht kemi vënë re që gjatë viteve të fundit politika ndaj emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar është ashpërsuar në mënyrë të ndjeshme.
Jo më larg se 1 shtatori ka hyrë në fuqi normativa e re, ku pezullon përkohësisht deri në një moment të dytë, të gjithë aplikimet për bashkim familjar, ku sponsori është personi që ka marr dokumentat, rezidencën në Mbretërinë e Bashkuar ndërmjet rrugës së mbrojtjes ose të azilit dhe ka përfituar statusin e refugjatit.
Pra, të gjithë ato persona që kanë marrë dokumentacionin e tyre, në rrugëtimin e mbrojtjes së të drejtës së tyre pasi i rrezikohej jeta në vendin e lindjes dhe kanë marrë statusin e refugjatit, fatkeqësisht në këtë moment nuk mundet me efekt të menjëhershëm nga data 1 shtator të bëjnë më aplikime për bashkim familjar që të marrin familjarët e tyre nga vendi i lindjes.
Pritet të caktohet një afat, por për momentin janë pezulluar të gjitha aplikimet e reja. Vazhdojnë në proces aplikimet para datës një shtator, por aplikime të reja nga 1 shtatori e më pas nuk do të merren në shqyrtim", u shpreh Kumrija.
