Mbyllet libraria e shtëpisë botuese serbe në Mitrovicë të Veriut

Në Mitrovicën e Veriut më 9 shtator është mbyllur libraria e Shtëpisë Botuese Zyrtare serbe, sipas mediave lokale që raportojnë në gjuhën serbe.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua për më shumë detaje për këtë rast Komunës së Mitrovicës së Veriut, departamentit të Inspektoratit dhe Policisë së Kosovës, por deri në publikimin e kësaj lajmi nga këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

Lidhur me këtë rast ka reaguar Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, duke theksuar se Policia e Kosovës “ka uzurpuar dhe mbyllur zyrat e ‘Shtëpisë Botuese Zyrtare’, duke penguar furnizimin normal të nxënësve dhe shkollave serbe me tekste shkollore dhe mjete mësimore”.

Institucionet arsimore në komunitetet serbe në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, me planprogram të Ministrisë së Arsimit të Qeverisë serbe.

Megjithatë, vitet e fundit ka pasur probleme me furnizimin e teksteve shkollore për shkollat me mësim në gjuhën serbe, sepse autoritetet e Kosovës nuk kanë lejuar importin e tyre, gjë që është thënë nga autoritetet serbe, por edhe nga organizatat joqeveritare.

Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA) në raportin e saj për vitin 2024 ka theksuar se “shkollat dhe prindërit i fusin në Kosovë vetë librat shkollorë dhe marrin përsipër rrezikun për këtë gjë”.

Megjithatë, nga Zyra për Kosovën pretendojnë se mbyllja e librarisë së Shtëpisë Botuese Zyrtare përbën “një sulm të tërthortë ndaj fëmijëve, me qëllim që t’u hiqet mundësia më të vegjëlve serbë të arsimohen në gjuhën amtare dhe sipas programeve të Republikës së Serbisë”.

Kosova në fillim të vitit 2024 filloi të mbyllë institucionet që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, duke i cilësuar ato si institucione të paligjshme dhe paralele.

Që nga viti 2024, autoritetet e Kosovës kanë nisur mbylljen e disa institucioneve serbe në Kosovë, përfshirë: Postën e Serbisë, Bankën e Kursimeve Postare, organet e përkohshme komunale, qendrat për punë sociale e të tjera.

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i tha një grupi mediash në gjuhën serbe më 4 shtator se të gjitha institucionet paralele serbe, përfshirë arsimin dhe kujdesin shëndetësor, duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.

Megjithatë, theksoi se mënyra se si do të bëhet ky integrim është thelbësore dhe, sipas saj, duhet të zhvillohet vetëm përmes konsultimeve me komunitetin serb.

“Ky nuk mund të jetë proces i njëanshëm. Është detyrë e komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës që të punojnë së bashku, për të siguruar, sidomos, që institucionet e ruajnë ose e përmirësojnë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve”, tha Prattipati për KoSSev, Radio Kontakt Plus, Radio Mitrovica e Veriut, Radio Kim dhe Radio Gorazhdevac.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në shtator të vitit 2024, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se funksionimi i shëndetësisë dhe arsimit në mjediset me shumicë serbe është specifik dhe se këto institucione do të trajtohen në mënyrë specifike - ndaras nga mbyllja e institucioneve të tjera serbe./REL