Kryeministri dorëhiqet pas 21 viktimave! Protesta masive anti-korrupsion në Nepal
Kryeministri i Nepalit, Sharma Oli, ka dhënë dorëheqjen, ndërsa 21 viktima raportohen në dy ditë protesta të dhunshme nkundër korrupsionit. Më herët 3 ministra të kabinitit të tij qeverisës dhanë dorëheqjen e dolën në mbështetje të protestuesve.
Në Nepal, situata politike dhe sociale ka hyrë në një nga krizat më të rënda të dekadave të fundit. Kryeministri Sharma Oli ka dhënë dorëheqjen pas protestave masive dhe përplasjes së dhunshme midis qytetarëve dhe forcave të sigurisë.
Dorëheqja e Oli-t u konfirmua nga sekretariati i tij, me arsyetimin se kjo hap rrugën për një zgjidhje kushtetuese.
Ndërkohë, më herët tre ministra të kabinetit të tij qeverisës dhënë dorëheqjen në shenjë mbështetjeje për protestuesit, duke deklaruar se qeveria kishte humbur besimin e popullit dhe nuk është e aftë të mbroj qytetarët.
Të paktën 21 persona humbën jetën në dy ditë protesta të dhunshme, ndërsa mbi 90 të tjerë po trajtohen në spital.
Protestat shpërthyen fillimisht pas ndalimit të mediave sociale, por shpejt u shndërruan në një revoltë të gjerë kundër korrupsionit dhe nepotizmit në politikë.
Pamjet nga Katmandu tregojnë rrugë të mbushura me tym dhe flakë, ndërsa demonstruesit dogjën ndërtesa qeveritare, sulmuan shtëpitë e ish-kryeministrave dhe vandalizuan rezidencat e politikanëve të lartë.
Gjenerata Z dhe të rinjtë janë në ballë të protestave, duke kërkuar llogaridhënie dhe reforma rrënjësore.
Në rrjetet sociale, termi “Nepo Kids” është kthyer në simbol të revoltës, duke denoncuar pasurinë dhe privilegjet e fëmijëve të politikanëve.
Situata mbetet e tensionuar: fluturimet e brendshme janë pezulluar, aeroporti ndërkombëtar i Katmandusë funksionon me kufizime dhe vendi ndodhet nën një shtetrrethim të pacaktuar.
Qytetarët e Nepalit kërkojnë drejtësi, transparencë dhe fundin e korrupsionit, ndërsa bota vështron nga afër një krizë që po përshkallëzohet me shpejtësi.

