FOTO/ Murali i ri i Banksy shfaqet në Gjykatën e Lartë të Londrës
Një mural i ri nga artisti i famshëm i artit rrugor, Banksy, është shfaqur në murin e Gjykatës së Lartë (Royal Courts of Justice) në Londrën qendrore, sipas BBC.
Vepra paraqet një gjyqtar me paruke tradicionale dhe mantel të zi duke goditur një protestues të shtrirë në tokë, me gjak që shpërndahet mbi pankartën e tij.
Edhe pse murali nuk i referohet një kauze ose incidenti të caktuar, shfaqja e tij ndodhi vetëm dy ditë pasi gati 900 persona u arrestuan në një protestë në Londër kundër ndalimit të “Palestine Action”.

Vepra u mbulua shpejt me fletë plastike dhe barriera metalike. Zyrtarët e gjykatës i thanë se vepra do të hiqej. Policia Metropolitane tha se kishte marrë një raport për dëmtim prone dhe se hetimet do të vazhdonin.
Një zëdhënës i HM Courts and Tribunals tha se ndërtesa e gjykatës është klasifikuar si monument i mbrojtur dhe se ka “detyrimin të ruajë karakterin e saj origjinal”.
Vendndodhja e zgjedhur nga Banksy ishte një mur i jashtëm i “Queen’s Building”, pjesë e kompleksit të gjykatës, në rrugën Carey, zakonisht të qetë. Të hënën, zona ishte e mbushur me njerëz që bënin foto të murit tashmë të mbuluar.
Artisti nga Bristoli e konfirmoi autorësinë e veprës duke ndarë një foto të muralit në Instagram, me mbishkrimin “Royal Courts Of Justice London””
Baronesha Harriet Harman, anëtare e Partisë Laburiste, tha se besonte se vepra ishte një “protestë për ligjin” pa specifikuar se për cilin ligj bëhej fjalë.
“Parlamenti bën ligjin, ndërsa gjyqtarët thjesht e interpretojnë atë”, shtoi ajo.
“Nuk mendoj se ka ndonjë provë, sa i përket së drejtës për të protestuar, që gjyqtarët kanë kufizuar protestat më shumë sesa ka dashur Parlamenti”.

Grafitët e Banksy-t shpesh kritikojnë politikat qeveritare, luftën dhe kapitalizmin.
Në dhjetor 2019, Banksy krijoi një “Lindje të modifikuar” në një hotel në Betlehem, ku grazhdi i Jezusit ishte para murit ndarës të Izraelit, i cili dukej sikur ishte çarë nga një shpërthim, duke formuar figurën e një ylli.
Izraeli thotë se muri është i nevojshëm për të parandaluar infiltrimin nga Bregu Perëndimor, ndërsa palestinezët e shohin atë si një mjet për të grabitur tokë.

