Kumbaro: Platforma e Integruar Digjitale e Turizmit, e plotë në 2026-ën

“Në mandatin e katërt të qeverisë, kemi gati edhe piketat për të ardhmen e qëndrueshme ku industria e turizmit tashmë e ka shtyllën ku mbështetet, Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2025-2030 të sapomiratuar në mbledhjen e qeverisë së disa javëve më parë”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në aktivitetin “Shqipëria Turistike 2030”, për të vendosur piketat e rrugëtimit të mëtejshëm drejt Shqipërisë – kampione e turizmit në rajon, duke reflektuar mësimet e reja të këtij sezoni.

“Shqipëria e ndarë në 6 rajone turistike do të ketë një ofertë më të mirorganizuar, do të ketë brandimet e rajoneve turistike, teksa do të vijojmë të jemi pjesë e panaireve më të rëndësishme ndërkombëtare. Gjithashtu, teknologjia dhe informacioni si një prioritet i qeverisjes sonë, por edhe si domosdoshmëri e epokës në të cilën jetojmë, do të jetë shtylla tjetër e vizionit Shqipëria Turistike 2030″, nënvizoi Kumbaro.

Kumbaro informoi se Ministria e Turizmit, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, AKSHI-n, Bankën e Shqipërisë dhe INSTAT kanë përgatitur tashmë arkitekturën teknike për Platformën e Integruar Digjitale të Turizmit, sistemi i të cilës do të ndërtohet i plotë në vitin 2026, për t’u futur në funksion me efikasitet në çdo operator privat dhe ent publik brenda mandatit të 4-t me: Regjistrin Kombëtar Digjital të Turizmit për të gjitha sipërmarrjet turistike; Platformën Digjitale e-Visitor për regjistrimin elektronik dhe gjurmimin në kohë reale të vizitorëve në strukturat akomoduese dhe çdo aktivitet tjetër të sektorit dhe një sistem të integruar të mbledhjes dhe analizimit të statistikave në sektorin e turizmit përmes “Sistemit Elektronik të të Dhënave në Turizëm””.

“Teksa me Organizatën Botërore të Turizmit, me të cilën në Tiranë organizuam vitin e kaluar për herë të parë një event të nivelit të lartë botëror të turizmit, siç ishte Mbledhja e Komisionit për Europën të UN Tourism, synojmë të ngremë Akademinë Ndërkombëtare të Turizmit dhe të Mikpritjes si një bashkëpunim i qeverisë shqiptare dhe UN Tourism në Tiranë”, tha Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në aktivitetin e organizuar “Shqipëria Turistike 2030”, u ndal edhe tek impakti ekonomik që ka pasur turizmi në vend.

Kumbaro theksoi se Shqipëria ka zgjedhur të jetë larg masivitietit dhe të konsolidojë një ofertë të qëndrueshme të turizmit, ku nuk mund të jenë shezlongët tregues që ushqen ekonominë e gjeneruar nga turizmi.

“Gjithsesi, ka ardhur koha që të mos fokusohemi vetëm te shifrat. Patjetër që janë të rëndësishme, nëse kemi në konsideratë që në vitin 2014 Shqipëria mirëpriti 3,6 milionë vizitorë të huaj, ndërsa në vitin 2024, gati 12 milionë. Janë flukse që rrisin konsumin, lënë para në vend, nxisin ekonomitë familjare dhe forcojnë arkën e shtetit, por qëllimi i këtij takimi nuk është të themi se sa më të larta janë këto shifra, dhe nuk do të jetë më vetëm kjo kryefjala e punës tonë të përbashkët”, nënvizoi Kumbaro duke shtuar se kjo do të shkonte në kundërshtim me vizionin tonë për të qenë larg masivitetit apo joshjes së turistëve thjesht me oferta të lira.

Sepse, vijoi Kumbaro, jemi një vend i vogël ku krahas zhvillimit të turizmit duhet, me se s’bën, të gjejmë ekuilibrin midis zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit, peizazhit dhe territorit.

Kumbaro solli disa të dhëna që sipas saj flasin shumë qartë për ndikimin që industria e turizmit ka në ekonomi.

“1,8 miliardë euro i vinin ekonomisë shqiptare në vitin 2021 nga turizmi ndërkohë që 5 miliardë euro ishin të ardhurat në vitin 2024. E për t’u rikthyer sërish te sezoni 2025,- kuptohet shumë qartë vlera që vijon të sjellë turizmi në zinxhirin ekonomik:
Për periudhën janar – korrik 2025, krahasuar me një vit më parë kemi: 12% më shumë vlerë faturimi në sektorin e restoranteve, 15% më shumë vlerë faturimi në hotele dhe struktura akomoduese dhe 14% më shumë vlerë faturimi në biznese të tjera të lidhura me turizmin ku përfshihen të gjitha llojet e tjera të aktiviteteve që nga plazhet, zbavitjet, makinat me qira, turizmi natyror etj”, theksoi ministrja Kumbaro.

Kumbaro solli dhe një tjetër të dhënë e bërë publikë ditë më parë nga Banka e Shqipërisë, që sipas saj raporton se deri në fund të muajit korrik, transaksionet përmes llogarive bankare në monedhën EURO pësuan një rritje me rreth 22.7%, e cila është shoqëruar edhe me rritje të vlerës së pagesave të kryera në euro në Shqipëri.

“Më konkretisht në 7 muajt e parë të këtij viti janë kryer transaksione në vlerën 3,5 miliardë euro, nga të cilat 556.4 milionë, vetëm në muajin korrik – çka sipas analizave bankare i dedikohet rritjes së numrit të turistëve të huaj, që sjellin në treg kërkesë të madhe për shërbime dhe produkte që i paguajnë në euro. A përkthen këto në investime në sektor?”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaru vuri në dukje se “edhe investimet po ashtu në sektorin e akomodimit janë në rritje  sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Janë 1,2 miliardë lekë të dhëna hua për sektorin e akomodimit dhe ushqimit, ose +8,1% më shumë krahasuar me vitin 2024”.