Bashkia Elbasan, fond 3 milionë lekë për Gramshin pas zjarreve të gushtit
Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar akordimin e një fondi prej 3 milionë lekësh për bashkinë Gramsh, pas situatës emergjente të shkaktuar nga zjarret në muajin gusht, të cilat prekën disa fshatra të Njësisë Administrative Skënderbegas.
Ky vendim synon mbështetjen e menjëhershme të bashkisë Gramsh për përballimin e kostove të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia, lehtësimin e barrës financiare që solli emergjenca, si dhe rikuperimin e një pjese të dëmeve në territorin e saj.
Zjarret shkaktuan dëme të konsiderueshme, duke cenuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe pasuritë e tyre.
Për këtë arsye, në frymën e solidaritetit ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore, bashkia Elbasan ka vlerësuar të domosdoshme ndarjen e këtij fondi, si një akt bashkëpunimi dhe ndihme reciproke për përballimin e fatkeqësive natyrore.
