VIKTIMAT E EPSTEIN PO BËJNË “LISTËN”/ Denoncueset e abuzimeve: Listë konfidenciale me bashkëpunëtorët
Viktimat e Jeffrey Epstein kërkuan në Kapitol publikimin e plotë të dosjeve të hetimit, duke denoncuar mungesën e transparencës dhe mbrojtjes për të mbijetuarit.
Ato thanë se po hartojnë një listë konfidenciale me emrat e bashkëpunëtorëve të dyshuar që, sipas tyre, ishin pjesë e rrjetit të abuzimeve.
Viktimat e Jeffrey Epstein ndanë rrëfime emocionale ndërsa folën në shkallët e Kapitolit në SHBA, nga ku kërkuan nga ligjvënësit publikimin e më shumë dosjeve për abuzuesin e dënuar seksual.
Një prej tyre, paralajmëroi se grupi kishte nisur të hartonte një listë konfidenciale të bashkëpunëtorëve të Epstein, të cilët sipas tyre ishin të përfshirë në abuzim.
“Ne do të mbledhim në mënyrë konfidenciale emrat që të gjithë i dimë se ishin rregullisht pjesë e botës së Epstein,” tha ajo duke shtuar se “Kjo do të bëhet nga të mbijetuarit dhe për të mbijetuarit”.
Reagimi u organizua nga ligjvënës amerikanë që kërkojnë të publikohen më shumë dokumente nga hetimi i Epstein.
Gjatë një konference shtypi dyorëshe, nëntë gra që e akuzojnë Epstein-in detajuan përvojat e tyre dhe abuzimet e përjetuara nga financieri
Njëra prej tyre iu përgjigj një pyetjeje për marrëdhënien mes Trump dhe Epstein, duke thënë se “mburrja më e madhe e Epstein ishte se ishte shumë mik i mirë me Donald Trump”.
“Ai mbante një fotografi të kornizuar me të dy mbi tavolinë,” shtoi ajo.
Por gjatë një diskutimi asnjëra nga gratë nuk tha se kishte parë ose dëgjuar ndonjë sjellje të papërshtatshme të Presidentit Trump lidhur me Epstein.

“Ky është një mashtrim demokrat që nuk mbaron kurrë,” u shpreh Trump të mërkurën në Zyrën Ovale kur u pyet për konferencën aty pranë.
Ai shtoi se “askush nuk është ndonjëherë i kënaqur” me dosjet e publikuara dhe se kjo çështje është një shpërqendrim nga puna e tij në detyrë. “Mendoj se është e mjaftueshme,” tha Trump.
Të martën Komisioni i Mbikëqyrjes i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi 33 mijë faqe dhe disa video të marra nga Departamenti i Drejtësisë, shumica e të cilave ishin tashmë në domenin publik.
Publikimi erdhi pas botimit muajin e kaluar të intervistës së Departamentit të Drejtësisë me Ghislaine Maxwell, e dënuar për trafik seksual dhe bashkëpunëtore e Epstein, e cila mohoi ekzistencën e një liste të pretenduar me klientë VIP.
Në transkriptet 300-faqëshe, ajo tha se besonte se Trump dhe Epstein kishin qenë miq në shoqëri, por jo miq të ngushtë.
Shtëpia e Bardhë dhe drejtuesit republikanë në Kongres kundërshtojnë publikimin e të gjitha dosjeve, duke thënë se kjo mund të ekspozojë identitetet e njerëzve të pafajshëm, ndërsa debati për një prej skandaleve më të bujshme që ka ngjallur shumë teori konspirative vijon.


