SHOKËT KUSHTOJNË 250 $ NË MUAJ! Studimi në SHBA: Miqësia, kosto e padukshme mujore
Një sondazh në SHBA tregon se të rinjtë shpenzojnë mesatarisht 250 dollarë në muaj për aktivitete me miqtë. Për shumë prej tyre, kjo shumë është kthyer në një barrë financiare që ndikon në shëndetin ekonomik.
Të rinjtë amerikanë po përballen me një sfidë të pazakontë: miqësia kushton shtrenjtë. Një sondazh i publikuar më 30 korrik nga Ally Bank, vetëm një ditë para Ditës Ndërkombëtare të Miqësisë, ka nxjerrë në pah se aktivitetet shoqërore u kushtojnë mesatarisht 250 dollarë në muaj.
Ky studim u realizua me pjesëmarrjen e 1,000 personave, ku 37% i përkisnin Gjeneratës Z dhe pjesa tjetër të rriturve.
Edhe pse shifra nuk duket e lartë në pamje të parë, tre nga pesë të anketuar thonë se këto shpenzime po dëmtojnë gjendjen e tyre financiare. Vetëm 18% përfshijnë jetën shoqërore në buxhetin mujor, ndërsa 42% e atyre që e planifikojnë, prapë shpenzojnë më shumë se sa parashikojnë.
Një nga faktorët kryesorë është frika e mbetjes jashtë rrethit shoqëror, e njohur si FOMO. Rreth 25% e të rinjve pranuan se do të ndiheshin të përjashtuar nëse refuzojnë një ftesë për shkak të mungesës së parave.

Studimi nxjerr në pah edhe pasojat emocionale të kësaj situate: 24% ndihen të shqetësuar për diferencat financiare me miqtë, ndërsa 1 në 5 kanë fshehur realitetin e tyre ekonomik për të shmangur ndjenjën e ndarjes.
Megjithatë, miqësia shihet si prioritet. 69% e të anketuarve shprehen se duan të kalojnë kohë ballë për ballë me miqtë çdo javë, kryesisht në darka, festa apo evente. Të tjerë kanë zgjedhur alternativa më të lira si shëtitjet në natyrë.
Ally Bank, një bankë që operon vetëm online dhe e preferuar nga studentët, thekson se planifikimi financiar është thelbësor për të ruajtur ekuilibrin mes jetës shoqërore dhe stabilitetit ekonomik.
Studime të tjera nga LendingTree dhe Self Financial konfirmojnë se kostot shpesh çojnë të rinjtë të shmangin evente, të gënjejnë për gjendjen financiare apo të humbin miqësi. Mesazhi i përgjithshëm është i qartë: miqësia, ndonëse e paçmueshme, ka një kosto të fshehur që kërkon kujdes dhe planifikim.

