Pse e sulmoi Trump Sorosin? Paskal Milo: Përplasja mes tyre është konflikt i vjetër, e ka patur kundërshtar prej kohësh
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar përplasjen e fundit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe miliarderit George Soros, e cila ka kapur vëmendjen e opinionit publik.
Sipas Milos, ky konfrontim nuk është asgjë më shumë se një tjetër shfaqje e përplasjes tradicionale mes kaheve politike në SHBA, që ndodhin shpesh, por me tone të ashpra, siç është stili i presidentit Trump.
Milo theksoi se konflikti mes Donald Trump dhe George Soros ka disa vite që vazhdon. Ai kujtoi se gjatë mandatit të tij të parë dhe gjatë fushatës elektorale, Trump ka qenë një kritik i ashpër i Soros, i cili është një kundërshtar i njohur i presidentit.
“Ajo që po ndodh në SHBA është një përplasje tradicionale. Nuk shoh ndonjë gjë të jashtëzakonshme, përveç një shfaqje tjetër, ndoshta me tone më të ngritura nga Trump ndaj Soros,” tha Milo, duke shtuar se kjo përplasje politike ka qenë gjithmonë e pranishme në politikën amerikane, përfshirë mes kampeve tradicionale, republikanëve dhe demokratëve.
Milo theksoi se përplasjet mes kampeve politike janë pjesë e natyrës së politikës amerikane, dhe çdo presidencë ka pasur përplasje të ngjashme gjatë historisë. “Gjithnjë ka pasur përplasje mes kampeve tradicionale, republikanët dhe demokratët. Çdo presidencë amerikane ka pasur përplasje të tilla të mëdha,” tha ai.
Një tjetër aspekt që Milo theksoi ishte ndikimi politik në sistemin gjyqësor amerikan, veçanërisht në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve. Ai nënvizoi se anëtarët e Gjykatës së Lartë janë të emëruar nga presidentët, dhe që në këtë moment ka një shumicë të anëtarëve të zgjedhur nga presidentë republikanë, përfshirë Donald Trump.
Sipas tij, kjo tregon se gjyqësori amerikan, përkundër asaj që pretendon të jetë i pavarur, ka ndikime politike.
“Nuk mund të flasim për një pavarësi të plotë pa ndikime politike në gjyqësorin amerikan. Gjykata e Lartë është një organ që emërohet nga presidenti, dhe që shumë nga anëtarët e saj janë të zgjedhur nga presidentë republikanë, përfshirë Trump,” tha Milo.

