Izraeli shpall fazën e dytë të operacionit në Gaza: Do të luftojmë Hamasin deri në fund

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë njoftuar se operacioni ushtarak “Qerret e Gideonit”, i nisur në maj kundër Hamasit, ka hyrë në fazën e tij të dytë.

Ne kemi hyrë në fazën e dytë të operacionit për të arritur objektivat e luftës. Kthimi i pengjeve është një detyrë morale dhe kombëtare. Do të vazhdojmë goditjet kundër fortesave kryesore të Hamasit deri në disfatën e tij të plotë”, thuhet në deklaratën e IDF-së të publikuar në rrjetin X.

Bashkë me njoftimin, ushtria izraelite shpërndau edhe një foto të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir, gjatë një vizite në terren pranë qytetit të Gazës.

Ky zhvillim vjen pak ditë pasi në mediat izraelite u publikua një dokument i klasifikuar i ushtrisë, i cili arrinte në përfundimin se ofensiva “Qerret e Gideonit” nuk kishte arritur objektivat e saj kryesore. Sipas dokumentit të zbuluar nga Channel 12, operacioni nuk kishte përmbysur Hamasin ushtarakisht dhe nuk kishte sjellë lirimin e pengjeve.