Ago: Jemi në një moment delikat, duhet të kuptojmë dhe të vendosim se çfarë turizmi duam të ofrojmë
Vendosja e Shqipërisë në hartën e tregjeve ndërkombëtare, si një destinacion turistik vijon të mbetet një prej ambicieve kryesore të qeverisë “Rama”.
Por përveç turizmit, në Shqipëri po vihet re një numër gjithnjë e në rritje i të punësuarve të huaj në këtë sektor.
Për të kuptuar më shumë se cfarë i tërheq të huajt në Shqipëri, turizmi veror apo ai kulturor, cili është vlerësimi i tyre për vendin tonë dhe a po e zgjedhin turistët Shqipërinë si një vend edhe për të jetuar në studion e e lajmeve në “Ora News” ishin ekspertja e turizmit Blerina Ago, ekspertja e punësimit Gertjana Hasalla, si dhe sociologia Marsi Simo.
“Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit pamë një rritje jo aq të lartë sa i përket turizmit bregdetar.
Ndaj duhet të kuptojmë nëse Shqipëria nuk po i kënaq turistët e bregdetit që janë të interesuar për pushime komode, apo po ndryshon profili i turistëve, që janë më shumë të lidhura me komunitetet lokale.
Shqipëria ka shumë pika të forta sa i përket turizmit, tashmë jemi në listën e vendeve të sigurta dhe videot e shumta në rrjetet sociale u bënë ambasadorët më të mirë të vendit sa i përket reklamimit si destinacion turistik.
Por besoj se tani jemi në një moment delikat ku tani ne duhet të kuptojmë dhe të vendosim se çfarë turizmi duam të ofrojmë dhe duhet të caktojmë se për cilin lloj turisti duhet ta ofrojmë.
Pra, e kemi kaluar fazën betejën e shifrave dhe duhet të analizojmë se çfarë trashëgimie lënë pas këta vizitorë”, u shpreh ndër të tjera ekspertja e turizmit Blerina Ago.
NDIQNI BISEDËN E PLOTË ME EKSPERTET MBI TURIZIMIN NË “ORA NEWS”

