Përtej gjurmëve të babait! Sfida e karrierës nën hijen e një trashëgimie “të rëndë” artistike
Cooper Hoffman, djali 22-vjeçar i aktorit legjendar Philip Seymour Hoffman, po spikat si një nga talentet më premtues të kinemasë amerikane.
Dikur i vendosur të mos ndiqte gjurmët e të atit, sot ai po ndërton karrierën e tij me hapa të sigurt, duke zgjedhur projekte sfiduese dhe jashtë zonës së komfortit.
Në filmin e tij më të fundit, The Long Walk, bazuar në romanin e parë të Stephen King, Cooper luan një nga rolet kryesore në një thriller ku djem të rinj detyrohen të ecin pa ndalur – kush ndalet, humb jetën.
“Ishte e vështirë,” tha ai për The Guardian. “Por unë dua të bëj gjëra të vështira. Dua të provoj veten.”
Edhe pse shpesh ndien se personazhet i ngjajnë historive personale, Hoffman tregon se nuk përpiqet ta projektojë figurën e të atit në role. “Babai im ishte një aktor i madh, por unë nuk jam në garë me të,” thotë ai.
Pas suksesit në ekran, i riu ka provuar edhe teatrin, me një rol në një vepër të Sam Shepard. “Ndonjëherë ndihesh i papërgatitur, por pikërisht kjo ta forcon besimin,” shton ai. Projekte të reja e presin, mes tyre edhe thrilleri erotik I Want Your Sex, ku do të luajë përkrah Olivia Wilde dhe Charli XCX.
Sa i përket talentit, ai nuk beson se është trashëgimi gjaku. “Aktrimi nuk trashëgohet. Është punë, jo gjenealogji,” nënvizon Cooper.
Debutimin e tij e bëri në vitin 2021 me Licorice Pizza, film që i solli menjëherë një nominim për Golden Globe. Regjisori Paul Thomas Anderson, mik i ngushtë i familjes, ishte ai që e bindi të provonte aktrimin – një vendim që sot po i hap dyert e Hollywood-it.
