Will Smith, rikthimi me polemika/ Përballet me akuza për manipulim me inteligjencë artificial
Aktori dhe këngëtari 56-vjeçar, Will Smith, është rikthyer në skenë pas më shumë se tre vitesh në hije, në një përpjekje për të rifituar vendin që dikur kishte në zemrat e fansave. Turneu i tij i ri, i titulluar “Based On A True Story”, shoqërohet nga një album i freskët dhe një video promovuese e publikuar në YouTube.
Megjithatë, rikthimi ka ngjallur më shumë dyshime sesa entuziazëm. Në pamjet që qarkullojnë, fansat shihen duke brohoritur e mbajtur pankarta, por detaje si duar me gjashtë gishta, fytyra të turbullta apo gabime drejtshkrimore kanë bërë shumë ndjekës të dyshojnë se videoja është krijuar me inteligjencë artificiale. Kritikët në rrjetet sociale nuk kanë munguar, duke ironizuar përpjekjet e Smith për të marrë sërish qendrën e vëmendjes.
Ky rikthim ndodh pas incidentit famëkeq në Oscar 2022, kur aktori goditi komedianin Chris Rock në skenë – një moment i transmetuar live për miliona njerëz. Pas asaj ngjarjeje, Smith u përjashtua për 10 vite nga Çmimet e Akademisë, humbi projekte të mëdha me platforma si Netflix, ndërsa fondacioni i tij bamirës u mbyll pas rënies së të ardhurave.
Në intervista të fundit, ai ka zgjedhur të paraqesë këtë periudhë si një proces rilindjeje shpirtërore, duke përdorur metaforën japoneze “kintsugi” – arti i riparimit të enëve të thyera – për të përshkruar përpjekjet e tij për t’u rikthyer më i fortë. Turneu i Smith do të ndalet edhe në disa qytete të Evropës, përfshirë Ëolverhamptonin, mes reagimesh të përziera mbi suksesin e këtij rikthimi.
Përtej muzikës, duket se sfida më e madhe e tij është rindërtimi i një imazhi publik që mbeti i thyer pas një momenti të paharrueshëm.
