Kosova kërkon nga aleatët presion mbi Serbinë për fatin e personave të zhdukur me dhunë

Krerë të institucioneve në Kosovë, ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe familjarë të personave të zhdukur kanë bërë homazhe të premten, te Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë

Presidentja, Vjosa Osmani, tha se përpjekjet e Kosovës për drejtësi dhe për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë nuk do të ndalen asnjëherë.

Ajo nënvizoi se Serbia, duke i mbajtur në varreza masive trupat e të zhdukurve me dhunë në Kosovë, po bën krim të ripërsëritur.

Më tej ajo i bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës që të bëjnë presion Serbisë për të zbardhur fatin e personave të zhdukur me dhunë.

“Është krim i vazhdueshëm, sepse përtej krimeve që janë kryer në vitin 1998–1999 nga ana e Serbisë, zhdukja me dhunë e personave të shumë familjeve në Kosovë është krim që Serbia e kryen çdo ditë duke i mbajtur ata në varreza masive. Duke mos respektuar marrëveshjet e arritura në Bruksel për ta zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë, Serbia çdo ditë kryen krim kundër njerëzimit dhe çdo ditë shkel konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut… I bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë, të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion të vazhdueshëm Serbisë. Këtij shteti gjenocidal, këtij shteti që akoma jo vetëm që e mohon krimin, por edhe e fsheh krimin duke i mbajtur të zhdukur me dhunë mijëra shqiptarë nga Kosova”, tha Osmani.

Trysni nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë për zbardhje të fatit të personave të zhdukur me dhunë në Kosovë kërkoi edhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

“Ky është një obligim moral, por edhe obligim ndërkombëtar që Serbia sa më parë të tregojë vendndodhjen e të gjitha masakrave dhe ku gjenden të pagjeturit, që familjet në vendin tonë mezi presin të kuptojnë fatin e tyre. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që në emër të Kuvendit t’i bëjmë thirrje Serbisë që ta marrë seriozisht këtë çështje, meqenëse Serbia, përveç që ka vrarë mbi dhjetë mijë popullatë civile, ajo vazhdon me vra popullin tonë duke mbajtur të pagjeturit atje. Bëj thirrje edhe te bashkësia ndërkombëtare që të shtojë presionin te një regjim autoritar që të tregojë për fatin e të pagjeturve”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se institucionet e Kosovës po bëjnë maksimumin për gjetjen e personave të zhdukur me dhunë, ku bëri të ditur se këtë vit janë zhvilluar 18 aktivitete për gërmimin dhe gjurmimin e mbetjeve mortore të të zhdukurve.

Mirëpo ai tha se Serbia s’po respekton marrëveshjen në Bruksel për të zhdukurit me dhunë, duke përmendur mosfillimin e gërmimeve në dy lokacione në Serbi.

Pjesë e homazheve ishte edhe Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur me Dhunë, i cili tha se sfidë dhe shqetësuese është gërmimi në lokacionet në territorin e Serbisë, pasi kjo e fundit këtë çështje humanitare e ka politizuar.

Thirrje Serbisë për zbardhjen e personave të zhdukur me dhunë i bëri edhe Kryetari i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës, Ahmet Grajqevci.

Aktualisht, trupat e 1584 qytetarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë mungojnë, të cilët janë zhdukur me dhunë nga Serbia.

Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të hapë arkivat shtetërore, që sipas tyre, do të ndihmonin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.