Guterrez: Marrja e Gazës nga Izraeli përshkallëzim vdekjeprurës

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i bëri thirrje Izraelit të përmbahet nga marrja e qytetit të Gazës, mes frikës për një katastrofë humanitare.

“Civilët në Gaza po përballen me një tjetër përshkallëzim vdekjeprurës”, tha mbrëmë Guterres në një postim në X.

“Shpallja e Izraelit për synimin për të pushtuar qytetin e Gazës sinjalizon një fazë të re dhe të rrezikshme”, shtoi ai.

Sipas tij, qindra mijëra civilë do të detyroheshin të largoheshin përsëri, duke i zhytur familjet në rrezik edhe më të madh.

“Kjo duhet të ndalet. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt”, shtoi ai.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar ushtrinë të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, ku besohet se jetojnë rreth një milion njerëz.

Guterres tha se “niveli i vdekjeve dhe shkatërrimit në Gaza është i paprecedentë në kohët e fundit”.

“Gaza është mbushur me rrënoja, me trupa, me shembuj të asaj që mund të jenë shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar”, theksoi kreu i OKB-së.

“Kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm”, shtoi ai.