Studimi alarmues: Tymi nga zjarret në pyje shkakton më shumë vdekje se sa mendohej më parë

Tymi i prodhuar nga zjarret në pyje është shumë më i rrezikshëm për shëndetin e njeriut sesa vlerësohej deri më tani, ka zbuluar një studim i ri. Sipas hulumtimit, vdekjet e shkaktuara nga ekspozimi afatshkurtër ndaj grimcave të imëta PM2.5 janë nënvlerësuar me 93 për qind.

Studiuesit kanë konstatuar se mesatarisht 535 persona në vit në Evropë kanë humbur jetën midis viteve 2004 dhe 2022 për shkak të thithjes së këtyre grimcave toksike, të çliruara nga zjarret në pyje. Në krahasim, metodat standarde të matjes parashikonin vetëm 38 vdekje në vit.

Studimi vjen ndërsa zjarret kanë përfshirë Evropën Jugore, ku sipas të dhënave të reja të BE-së, mbi 895,000 hektarë janë djegur deri tani në vitin 2025, duke shënuar një rekord për këtë periudhë të vitit. Po ashtu, këto zjarre kanë çliruar më shumë se dyfishin e sasisë së PM2.5 krahasuar me mesataret e dy dekadave të fundit.

“Më parë mendohej se grimcat nga zjarret dhe ato nga burime të tjera ishin po aq të rrezikshme. Por studimi ynë tregon se ndikimi shëndetësor i grimcave nga zjarret është më i fortë”, tha profesoresha Catherine Ton, epidemiologe mjedisore në ISGlobal, Barcelonë.

Ndotja e ajrit, tashmë e njohur si një nga rreziqet kryesore për shëndetin, po rezulton të ketë ndikim edhe më të madh për shkak të zjarreve në pyje. Një studim i mëparshëm i publikuar në dhjetor i atribuoi ndotjes nga zjarret 1.53 milion vdekje në vit në shkallë globale.

Sipas ekspertëve, ekspozimi ndaj tymit të zjarrit rrit rrezikun e vdekjes brenda një jave nga kontakti. Çdo mikrogram shtesë i PM2.5 në një metër kub ajër është lidhur me rritjen me 0.7 për qind të vdekjeve nga të gjitha shkaqet, 1.0 për qind nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe 0.9 për qind nga sëmundjet kardiovaskulare.