Shefi i ushtrisë, Zamir i kërkon Netanyahut të pranojë marrëveshjen për pengjet

Shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, ka ashpërsuar paralajmërimet e tij lidhur me planin për marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës, duke i bërë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu që të pranojë një propozim armëpushimi për lirimin e pengjeve të mbetura, sipas raportimeve të mediave izraelite.

“Ka një marrëveshje mbi tryezë, është marrëveshja e përmirësuar Witkoff, duhet ta pranojmë”, citoi televizioni izraelit “Channel 13” fjalët e Zamir drejtuar komandantëve gjatë një vizite në një bazë detare në Haifa.

Shefi i ushtrisë iu referua një propozimi të negociuar më parë nga i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, që parashikon një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit do të liroheshin 10 pengje izraelite të gjallë në këmbim të të burgosurve palestinezë.

“Ushtria ka krijuar kushtet për një marrëveshje mbi pengjet, tani kjo është në duart e Netanyahut”, shtoi Zamir.

Ai përsëriti shqetësimin se marrja e planifikuar e qytetit të Gazës do të rrezikonte jetën e rreth 20 pengjeve që besohet se janë ende gjallë, disa prej të cilëve mendohet se mbahen në këtë metropol të madh.

Zamir paralajmëroi se militantët e Hamasit mund t’i vrasin pengjet ose të “bëjnë vetëvrasje së bashku me ta”. Sipas kërkesës, Zamir ka hartuar planet operacionale për marrjen e qytetit të Gazës, të cilat janë miratuar nga udhëheqja politike e vendit.

Javën e kaluar, Hamasi tha se kishte pranuar një propozim të ri armëpushimi, i cili raportohet të jetë një version i përshtatur i propozimit Witkoff.