KRUSHKU I TRUMP DO "JAPË" LLOGARI! Ambasador në Francë, Charles Kushner mes akuzave se Parisi nuk po lufton antisemitizmin

Franca ka thirrur ambasadorin amerikan Charles Kushner pas akuzave se Parisi nuk po lufton mjaftueshëm antisemitizmin. Parisi i cilësoi deklaratat “të papranueshme”, ndërsa Uashingtoni mbrojti përfaqësuesin e tij. ambasadorin amerikan në Paris është njëkohësisht edhe babai i Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump.

Mes Parisit dhe Uashingtonit ka pasur një përplasje diplomatike pas një letre të ambasadorit amerikan në Francë, Charles Kushner, i cili është edhe babai i Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump.

Në këtë letër drejtuar Macron, Kushner akuzoi Francën se nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin, duke kritikuar edhe qëndrimin e saj për njohjen e mundshme të shtetit palestinez.

Ministria e Jashtme franceze reagoi menjëherë, duke e thirrur ambasadorin që të hënën të paraqitej në Paris.

Në një deklaratë zyrtare, Parisi i quajti akuzat e Kushnerit “të papranueshme” dhe theksoi se Franca është “plotësisht e mobilizuar” për të luftuar rritjen e akteve antisemite pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor 2023. Autoritetet franceze i konsideruan deklaratat e tij si ndërhyrje në punët e brendshme dhe në kundërshtim me parimet e partneritetit transatlantik.

Nga ana tjetër, Departamenti i Shtetit amerikan mbështeti ambasadorin, duke deklaruar se ai po përfaqëson “me sukses interesat kombëtare të SHBA-së”.

Në letrën e tij, Kushner i kërkonte Macronit të forconte zbatimin e ligjeve kundër krimeve të urrejtjes, të siguronte mbrojtjen e sinagogave dhe shkollave hebraike dhe të hiqte dorë nga çdo hap që mund të interpretohej si legjitimitet ndaj Hamasit.

Polemika vjen vetëm pak ditë pasi Macron kishte hedhur poshtë kritikat e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se qëndrimi i Francës për njohjen e shtetit palestinez po nxit antisemitizmin.

Tensionet ndodhin gjithashtu në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet franko-amerikane, të cilat kanë njohur divergjenca edhe mbi mbështetjen ndaj Ukrainës. Megjithatë, takimi miqësor i javës së kaluar mes presidentit Trump, Macron dhe liderëve të BE-së në Shtëpinë e Bardhë kishte dhënë sinjale për një afrimitet më të madh.