VIDEO/ Koçiu: Spitali Rajonal i Gjirokastrës po transformohet në qendër moderne shëndetësore

Spitali Rajonal i Gjirokastrës po rikonstruktohet nga themelet me shërbime të shtuara dhe teknologji nga më modernet.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau pamje nga punimet që po zhvillohen për rikonstruksionin e godinës e cila sipas saj “po rilind nga themelet”.

Rikonstruksioni i godinës së këtij spitali do të mundësojë transformimin e ambienteve për mjekët dhe infermierët si dhe do të rrisë shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit shëndetësor për mbi 60 mijë banorë.

Ministrja Koçiu bëri me dije se “një godinë historike prej 8,600 m² po transformohet në një qendër moderne shëndetësore, që do të shërbejë mbi 60 mijë banorëve të zonës dhe mijëra turistëve që vizitojnë qytetin e gurtë”.

Spitali “Omer Nishani” përfshin të gjitha specialitetet si urgjenca, kirurgjia, pediatria, infektivi, radiologjia dhe patologjitë.