U paraqit në komisariat disa orë pasi u shpall i zhdukur, ish-zv.drejtori i AKSHI-t do merret sërish në pyetje

 Ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, Daniel Shima mësohet se do të merret sërish në pyetje nga policia në lidhje me zhdukjen e tij për disa orë. Raportohet se Shima do të pyetet në lidhje me gjithë itinerarin e ditës së djeshme dhe rikthimit të tij pas 10 orësh.

Ai është shprehur në polici se pas një konflikti me të dashurën kishte vendosur të largohej drejt jugut për disa ditë që të qetësohej. Shima shtoi se pasi ka parë që familjarët janë shqetësuar dhe rasti është bërë mediatik ka vendosur të kthehet. 

Ai nuk ka folur lidhur me mesazhin që i ka dërguar nënës së tij ku i tregonte se po e arrestonin. Policia lidhur me zhdukjen e tij hapi hetimet për rrëmbim si dhe inskenim i zhdukjes. Duke qenë se rasti u bë mediatik dolën në dritë edhe deklaratat se ai më parë është kërcënuar.

Emri i tij u përmend nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj gjatë një intervistë nga arratia në korrik të vitit 2024. Ahmetaj foli atëherë për një përgjim ambiental të kapur nga SPAK për tendera në vlerën e 43 milionë eurove ose 43 miliardë lekëve, përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Ahmetaj theksoi atëherë se AKSHI është tmerr dhe Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Mos ndoshta pas këtyre deklaratave se ishte me pushime fshihet diçka tjetër dhe policia po tenton të zbardhë të vërtetën. Edhe mos sqarimi i mesazhit të dërguar që po e arrestojnë, lë pas hije dyshimi se zhdukja e tij për disa orë mund të jetë diçka më serioze sesa një konflikt me të dashurën.