Udhëheqësit europianë hyjnë në Shtëpinë e Bardhë, ndihmësit e Zelenskyt me hartë në dorë

Udhëheqësit evropianë kanë filluar të mbërrijnë në Shtëpinë e Bardhë këtë pasdite, përpara një dite të ngjeshur takimesh me Presidentin Donald Trump të përqendruar te negociatat e paqes për luftën Rusi-Ukrainë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ishte udhëheqësi i parë që mbërriti në ambientet e Shtëpisë së Bardhë të hënën, i ndjekur nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe më pas kryeministri britanik, Keir Starmer.

Pas tij mbërriti kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila shtrëngoi duart dhe shkëmbeu disa fjalë me Shefen e Protokollit të Shtëpisë së Bardhë, Monica Crowley.

Presidenti i Finlandës Alexander Stubb ishte i radhës, ndërsa pas tij ishte kancelari gjerman Friedrich Merz dhe i fundit duket se do të jetë Emmanuel Macron.

Sa i përket Zelenskit ai pritet që t'u bashkohet atyre brenda një ore.

Por ndihmësit e ngushtë të Zelensky-t kanë hyrë para Presidentit të Ukrainës në Shtëpinë e Bardhë.

Kamerat i kanë kapur duke mbajtur në duar atë që mund të jetë një hartë.

Zëvendësdrejtori i zyrës së Zelensky-t, Serhiy Palisa, mbante një fletë letre të mbështjellë gjatë rrugës për në Shtëpinë e Bardhë - ndoshta një hartë?

Me të ishin edhe Andriy Yermak, kreu i zyrës presidenciale të Zelensky-t, dhe ish-ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov.