Kosova kryeson në matjet globale për përmirësim të mirëqenies/ REL: Çfarë tregojnë të dhënat?

Vitin e kaluar, mbi gjysma e qytetarëve të Kosovës u tha se besojnë që jeta e tyre po ecën shumë mirë. Një dekadë më parë, këtë vlerësim e jepnin vetëm pak më shumë se 10 për qind e popullsisë.

Atëherë, çfarë e ka shkaktuar këtë përmirësim, që sipas Qendrës amerikane të Kërkimeve Gallup nuk e ka arritur asnjë shtet tjetër në botë?

Gjatë dekadës së fundit, përqindja e qytetarëve që thonë se jeta e tyre po ecën shumë mirë është përmirësuar për 20 pikë përqindjeje (ose më shumë) në 12 shtete të botës, përfshirë disa të rajonit, si Serbia e Bosnje e Hercegovina.

Ndryshim të ngjashëm, por negativ, ka përjetuar edhe Zvicra.

Megjithatë, asnjë shtet në botë nuk ka shënuar ndryshim më të madh sesa Kosova, ku përqindja e qytetarëve të kënaqur është rritur nga 11 në 51 për qind.

Për autorët e këtij hulumtimi, të publikuar në fund të korrikut të këtij viti, “ta kuptosh se si njerëzit e vlerësojnë jetën e tyre është një matës i rëndësishëm i progresit njerëzor” pasi, sipas tyre, format e tjera të matjes së progresit - si përmes Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) - “nuk arrijnë të tregojnë nëse njerëzit po jetojnë mirë”.

Sipas tyre, tani raportohet një nivel më i lartë i kënaqshmërisë me mirëqenien për shkak se ka më shumë optimizëm për standardin e jetës, për liritë personale dhe mirëqenien e fëmijëve.

Përpos ndjenjës së respondentëve, qendra Gallup i bazon matjet e tyre në disa indikatorë.

Kur raportuan se jeta e tyre po ecën shumë mirë, qytetarët e Kosovës thanë se kanë më pak probleme shëndetësore; më pak ditë kur kanë qenë të sëmurë; më pak shqetësim, stres, mërzi e zemërim; dhe më shumë lumturi, kënaqësi, interesim dhe respekt.

Ky trend pozitiv vërehet edhe kur merret parasysh mesatarja në botë. Numri i atyre që e vlerësojnë jetën e tyre pozitivisht po rritet me kalimin e viteve, ndërsa i atyre që thonë se po vuajnë po zvogëlohet.

Sipas Qendrës Gallup, përmirësimi vërehet te të rinjtë e të vjetrit, te burrat e te gratë, por jo në të gjitha rajonet njësoj.

Mënyra se si Gallup i bën këto matje është e thjeshtë. Qytetarëve u shtrohet kjo pyetje:

Përgjigjet nga 0 deri në 4 llogaritet si i përkojnë kategorisë “në gjendje të rëndë”, nga 4 deri në 7 “në vështirësi”, dhe mbi 7 “në gjendje të mbarë”.

Edhe rezultati është i thjeshtë. Në botë, mesatarja e përgjigjeve për vitin e kaluar ishte 5.9, ndërsa pritshmëritë për të ardhmen arritën nivel më të lartë, me përgjigje mesatare prej 7.2./REL