Sfidat e strehimit në Shqipëri/ Pipiria: Politika fiskale e pafavorshme dhe larg tregut europian
Vlerësuesi i pronave, Reinaldo Pipiria në një intervistë në Ora News u shpreh se politika fiskale në Shqipëri përsa i përket strehimit është e pafavorshme dhe larg tregut europian.
Pipiria: U bënë disa vite që ne e kemi përmendur se sfidat që ka qenë duke kaluar dhe vazhdon të kalojë Shqipëria nuk është se janë sfida që nuk po i kalon pjesa tjetër e botës.
Që pas pandemisë koncepti për strehimin dhe koncepti për turizmin kanë ndryshuar rrënjësisht.
Edhe kostot në të njëjtën kohë kanë ndryshuar rrënjësisht.
Ashtu siç janë rritur çmimet në SHBA dhe Europë, kanë vazhduar të rriten edhe në Shqipëri.
Strehimi ka qenë sfidë ndikuar kryesisht nga rikonceptimi i jetës dhe nga kostot.
Por duket se në të gjitha vendet, këtu përfshi edhe Shqipërinë ka probleme me strehimin për shkak të çmimeve që vazhdojnë të jenë të larta dhe për shkak të mungesës së një oferte të qëndrueshme.
