Parku i Butrintit 5 vite nën kthetrat e PPP-ve, trashëgimia në hije, resorte në dritë

4 gusht të vitit 2020, Parku Kombëtar i Butrintit iu dorëzua një fondacioni anonim përmes një PPP-je që u promovua si shpëtim, por në të vërtetë po e shkatërron potencialin arkeologjik të tij. Shteti mban pronësinë për përfitime publike, ndërsa fitimet përtej 1.8 miliardë lekësh dhe sponsorizimet shkojnë tek Fondacioni, mekanizëm me emër jofitimprurës, por me funksion fitimprurës për palët e përfshira. Popullit shqiptar iu premtua ruajtje dhe zhvillim, por realiteti i pesë viteve tregon një model ku kontrolli real i pasurisë kombëtare po rrëshqet butë drejt privatit.

Rikujtojmë këtu vitin 2021 kur ministrja Mirela Kumbaro e konsideroi si një “pikë të voçkël” Gjirit të Manastirit nga Parku Kombëtar, por ajo pikë rezultoi 800 hektarë të zhveshur nga mbrojtja ligjore për t’i lënë rrugë “Manastiri Resort”, 28 milionë eurosh që do të ndërtohet nga Albstar e Idajet Ismailaj. Ndërsa shteti justifikohej me strategji zhvillimi, resorti po mbjell beton mbi histori. Partneriteti strategjik ishte në fakt partneritet i interesave.

Ndërkohë që qeveria e quan këtë një model të ri menaxhimi, realiteti flet për një skemë ku “ruajtja” përkthehet në beton, dhe “zhvillimi” në fatura publike me fitime private. Në emër të trashëgimisë, po zhbëhet vetë trashëgimia, me dorë të lehtë qeveritar. Pasuritë natyrore dhe arkeologjike të Shqipërisë po treten në letra strategjike dhe plane menaxhimi me logo luksi. Fondacione fantazmë, resorte në zonë të mbrojtur, dhe ministra që firmosin zhdukjen e parqeve me fraza si “pikë të voçkël”. Ndërsa turistët fotografojnë gërmadhat antike, qeveria ka nisur të ndërtojë gërmadhat e së ardhmes.

/ Marrë nga JOQ