Perimenopauza si revoltë: Riemërtimi që po shkund tabutë mjekësore

Një valë e re vetëdijësimi po përhapet në mediat sociale, ku gratë po riemërtojnë përvojën e tyre me perimenopauzën si “puberteti i pumave” – një term që përzier humorin me një ndjenjë fuqizimi.

Ky trend i ri synon të thyejë tabutë dhe të nxisë diskutime më të hapura për një fazë jetësore që prek pothuajse çdo grua, por që shpesh është lënë në hije nga mungesa e informacionit dhe diagnostikimeve të gabuara.

Amanda, një administratore spitali nga Teksasi, nisi të përjetojë simptoma si afshe të nxehta, pagjumësi dhe emocione të forta që i ngatërronte fillimisht me stres.

Edhe pse analizat fillestare nuk treguan shenja të qarta, vetëm pas një viti ajo mori konfirmimin se ishte në perimenopauzë – faza e tranzicionit drejt menopauzës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, menopauza ndodh zakonisht mes moshës 45 dhe 55 vjeç, por perimenopauza mund të fillojë shumë më herët dhe të zgjasë me vite, duke sjellë luhatje hormonale që ndikojnë në gjumë, humor dhe shëndet të përgjithshëm.

Megjithatë, për shkak të mungesës së një testi zyrtar dhe keqinterpretimit të simptomave, shumë gra përjetojnë ndjesinë e vetmisë dhe moskuptimit.

Ekspertët si Dr. Louise Newson theksojnë se terapia zëvendësuese hormonale (HRT) është trajtimi kryesor për lehtësimin e simptomave, ndërsa shtesat me testosteron mund të ndihmojnë në rastet e lodhjes apo uljes së libidos

. Por sipas saj, çdo trajtim duhet të jetë i personalizuar dhe i përshtatur me historinë individuale të pacientes.

Ndërkohë, mediat sociale po luajnë një rol thelbësor në përhapjen e informacionit dhe thyerjen e heshtjes rreth kësaj teme.

Termi “puberteti i pumave”, i shpikur në TikTok, është përqafuar si një mënyrë për ta parë perimenopauzën jo si fundin e diçkaje, por si një fazë të re dhe të fuqishme jetësore.

Komentet si “momente tropikale” për afshet e nxehta apo “pubertet i kundërt” reflektojnë një përpjekje për të sjellë humor dhe pozitivitet në një përvojë shpesh sfiduese.

Kjo lëvizje e re nuk është vetëm një trend online – ajo përfaqëson një hap drejt përfshirjes së shëndetit të grave në prioritetet mjekësore dhe shoqërore, aty ku ka munguar për shumë kohë.