Inter Miami konfirmon shkallën e dëmtimit të Messit

Që nga data 20 shkurt, Lionel Messi ka luajtur në 31 ndeshje për Inter Miamin dhe dy të tjera për kombëtaren e tij.

Inter Miami konfirmoi se Lionel Messi ka pësuar një dëmtim të lehtë muskulor gjatë ndeshjes së Kupës së Ligës ndaj Necaxas gjatë fundjavës.

Messi u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 11-të, pasi u përplas me dy mbrojtës në kufijtë e zonës së Necaxas në minutën e shtatë.

Ai vazhdoi për pak çaste, por pas katër minutash u zëvendësua nga Federico Redondo dhe shkoi direkt në dhomat e zhveshjes.

“Messi iu nënshtrua testeve mjekësore për të vlerësuar shkallën e shqetësimit muskulor që ndjeu gjatë ndeshjes së mbrëmshme të Kupës së Ligës ndaj Necaxas, e cila e detyroi të largohej nga loja.

Rezultatet konfirmuan një dëmtim të lehtë muskulor në këmbën e djathtë. Rikthimi i tij do të varet nga përparimi klinik dhe reagimi ndaj trajtimit”, thuhej në njoftimin e klubit.

Inter Miami barazoi 2-2 në kohën e rregullt dhe fitoi pas penalltive, duke marrë dy pikë gjithsej. 

Pas dy ndeshjeve të para në fazën e grupeve, skuadra e Messit ka grumbulluar 5 pikë.