Qeveria e Irakut përgënjeshtron zërat se minjtë hëngrën 62 trilionë dinarë nga rezervat shtetërore në Bankën Qendrore

Një këshilltar ekonomik i kryeministrit të Irakut, ka hedhur poshtë si të pavërteta dhe absurde lajmet që qarkulluan në disa faqe online, sipas të cilave minjtë kishin ngrënë një shumë marramendëse prej 62 trilionë dinarësh irakianë (rreth 41 miliardë euro) nga rezervat e Bankës Qendrore të vendit.

Lajmi u përhap gjerësisht në mediat sociale dhe media, duke shkaktuar bujë dhe indinjatë në opinionin publik. Por, sipas kanalit të lajmeve Rudaw, që transmeton nga rajoni autonom i Kurdistanit, këshilltari Shia Al-Sudani e përshkroi informacionin si “plotësisht të pabazuar dhe të paarsyeshëm”.

Burime të tjera pranë qeverisë e vlerësuan gjithashtu lajmin si jorealist, duke theksuar se gjithsej paratë që qarkullojnë në vend, përfshirë rezervat dhe cash-in në duart e qytetarëve, nuk i kalojnë 100 trilionë dinarë.

Prandaj, sipas tyre, është thuajse e pamundur që 62 trilionë të kenë qenë të grumbulluara në një vend të vetëm për të u shkatërruar nga minjtë.

Megjithatë, sipas një raporti të Jerusalem Post, nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e parave, të ruajtura jashtë sistemit bankar, të jenë dëmtuar apo shkatërruar nga brejtësit.

Vlerësohet se rreth 88% e parave në Irak ndodhen jashtë bankave, të ruajtura në kushte të këqija, si në shtëpi apo në arka të pasigurta, që nuk i mbrojnë nga lagështira apo dëmtimi fizik.

Pavarësisht përmasës qesharake të lajmit për minjtë që “gëlltitën” miliarda, zyrtarët irakianë pranojnë se ka nevojë për modernizimin e sistemit bankar, për të garantuar ruajtjen e parasë dhe për të parandaluar dëmtime fizike të kartëmonedhave.

Ndërkohë, lajmi u bë shkas për tallje në rrjetet sociale, ku përdoruesit u shprehën me ironi se “edhe minjtë dinë ku ruhen më shumë para në Irak”, duke e lidhur gjithashtu incidentin me perceptimin e korrupsionit në vend.