Dizniveli ekonomik për pushime, Binjaku: Sot po jetojmë parimin “luksi i tjetrit është detyrimi ynë”

Teksa sezoni i pushimeve verore është në kulmin e tij, dilema për pushime me familjen apo me shoqërinë është shqetësimi i këtyre ditëve.

Por jo vetëm kaq, një tjetër problem është dhe mundësia ekonomike për të përballuar pushimet.

Për të kuptuar më shumë mbi konceptin dhe përjetimin e pushimeve, në një intervistë për “Ora News”, sociologia Entela Binjaku u shpreh se

“Besoj se çdo familje shqiptare e di vetë se sa kushtojnë pushimet, se çfarë përgatitjesh bëjnë për ato pushime, se sa pak ditë pushimesh bëjnë dhe se si nga viti në vit disa destinacione janë bërë të paprekshme për shkak të buxhetit.

Sikundër e dimë mjaft mirë se sot pak a shumë, po jetojmë parimin se “luksi i tjetrit është detyrimi ynë”.

Këtu ka lindur një problem, sepse shpeshherë familjet tona pavarësisht se buxheti familjar është i pamjatueshëm, ata kërkojnë t’i përafrohen standardit të atyre që kanë një tjetër situatë ekonomike, duke dashur të jenë në të njëjtat nivele ekonomike.

Dhe në momentin kur nuk e arrijnë dot fillojnë të shfaqim pakënaqësi dhe në vend që t’i gëzohen atyre pushimeve, nisin dhe shfaqen gjithmonë e më të pakënaqur se nuk e mbërrijnë dot nivelin tjetër dhe këtu fillojnë problemet të cilat reflektohen edhe në shoqëri”, u shpreh sociologia Entela Binjaku.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME SOCIOLOGEN ENTELA BINJAKU