ChatGPT prezanton “modalitetin e studimit” për të nxitur përdorimin e përgjegjshëm në arsim
OpenAI ka lançuar një veçori të re të quajtur “modaliteti i studimit” në platformën ChatGPT, me qëllim të ndihmojë studentët të mësojnë në mënyrë aktive dhe të shmangin varësinë nga përgjigjet e gatshme të inteligjencës artificiale.
Kjo risi vjen në një kohë kur shqetësimet për keqpërdorimin e AI në shkolla dhe universitete janë në rritje.
Sipas kompanisë, modaliteti i ri është krijuar për t’i ndihmuar nxënësit dhe studentët të përgatiten për provime, të kryejnë detyra të shtëpisë dhe të kuptojnë koncepte të reja përmes një procesi interaktiv, të ngjashëm me mësimin në klasë.
Në vend që t’i japë thjesht përgjigjet, ChatGPT ndërvepron me përdoruesit duke u përshtatur me nivelin e tyre të njohurive dhe synimet e të nxënit.
Jayna Devani, drejtuese e arsimit ndërkombëtar në OpenAI, tha se kjo veçori synon t’i ndihmojë studentët të përfshihen në mënyrë më të thelluar me materialin dhe të zhvillojnë të menduarin kritik.
“Ne definitivisht nuk besojmë se këto mjete duhet të keqpërdoren dhe ky është një hap drejt kësaj,” u shpreh ajo.
Megjithatë, lansimi i kësaj veçorie vjen në sfondin e rritjes së rasteve të mashtrimit akademik.
Një hetim i gazetës “The Guardian” zbuloi rreth 7,000 raste të përdorimit të AI për kopjim në universitetet britanike gjatë vitit shkollor 2023–2024.
Edhe në Shtetet e Bashkuara, më shumë se një e treta e studentëve në moshë kolegji përdorin ChatGPT, dhe një e katërta e mesazheve lidhen me të nxënit apo detyrat.
Modaliteti i ri u krijua në bashkëpunim me arsimtarë dhe ekspertë të fushës dhe mundëson, ndër të tjera, analizën e provimeve të kaluara përmes një procesi bashkëpunues.
Megjithatë, përdoruesit nuk janë të detyruar ta ndjekin këtë qasje, pasi mjeti vijon të lejojë kërkesa për përgjigje të drejtpërdrejta.
OpenAI theksoi se modaliteti është ende në zhvillim dhe mund të ketë sjellje të paqëndrueshme apo gabime, ndërsa nënvizoi nevojën për një diskutim të gjerë mes institucioneve arsimore mbi përcaktimin e standardeve etike dhe përdorimin e drejtë të inteligjencës artificiale në edukim.
