NOT/ Leon Marchand fiton medaljen e artë në 200 metra stil i përzier në Botërorin e Singaporit
'Ylli’ francez i notit, Léon Marchand, ka konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një prej emrave më të mëdhenj të sportit, duke fituar medaljen e artë në 200 metra stil i përzier në Kampionatin Botëror të Notit, që po zhvillohet në Singapor.
Kjo arritje vjen vetëm një ditë pas vendosjes së rekordit të ri botëror nga vetë ai në këtë disiplinë.
Marchand, 23 vjeç, e përfundoi garën finale me kohën 1 minutë, 53 sekonda e 68 të qindtat, koha e dytë më e shpejtë ndonjëherë në këtë disiplinë.
Edhe pse nuk arriti të përsëriste performancën rekord të gjysmëfinales, ku kishte ndalur kronometrin në 1:52.69, francezi ia doli të triumfonte përpara rivalëve më të afërt.
Në vendin e dytë u rendit amerikani Shaine Casas me kohën 1:54.30, ndërsa Hungarezi Hubert Kos plotësoi podiumin me 1:55.34.
Ky ishte titulli i parë për Marchand në Singapor, ndërsa vjen pas një viti të jashtëzakonshëm për të, ku në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 fitoi katër medalje të arta para publikut vendas.
Pas një pushimi të gjatë pas Olimpiadës, ai u rikthye në gara vetëm në maj, por forma e tij mbresëlënëse dëshmoi se është në kulmin e karrierës.
"Jam thjesht shumë i lumtur që jam në nivelin më të lartë për momentin, duke garuar përpara këtij publiku fantastik," – u shpreh Marchand pas fitores.
Fitorja e sotme i dha Francës medaljen e parë të artë në këtë kampionat, ndërsa Marchand vazhdon të shkruajë historinë si një prej notarëve më dominues të epokës së tij.
