Conference League/ Vllaznia me mision historik në Islandë, Dinamo dhe Egnatia pranë kualifikimit
Sot zhvillohen ndeshjet e kthimit në raundin e dytë kualifikues të UEFA Conference League, me pesë skuadra shqiptare që synojnë kalimin në turin e tretë.
Disa prej tyre vijnë me avantazh të rëndësishëm nga ndeshja e parë, ndërsa të tjera përballen me sfida të vështira në transfertë.
Pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë në “Loro Boriçi”, Vllaznia udhëton drejt Ishujve Faroe për të përballuar një transferte të vështirë ndaj Vikingurit.
Skuadra shkodrane përmbysi disavantazhin në sfidën e parë, por në një ambient të ftohtë dhe me terren artificial, duhet të tregojë karakter për të ruajtur avantazhin minimal. Një barazim do ta çonte më tej, por çdo pakujdesi mund të jetë fatale.
Dinamo City – Atlètic Club d’Escaldes (20:45, “Elbasan Arena”)
Skuadra e Ilir Dajës është me një këmbë në turin e tretë, pas fitores 2-1 në Andorrë javën e kaluar. Dinamo shfaqi qartazi superioritetin teknik dhe fizik ndaj kundërshtarit dhe tani i mjafton të ruajë rezultatin në shtëpi.
Me përvojën e trajnerit Daja dhe përforcimet cilësore, Dinamo është favorite për të vulosur kualifikimin përpara tifozëve të vet.
Egnatia – Dinamo Minsk (21:00, “Arena Egnatia”)
Skuadra e Edlir Tetovës është më pranë kualifikimit. Fitorja 2-0 në ndeshjen e parë ndaj Dinamos së Minskut, e zhvilluar në Hungari për shkak të moslejimit nga UEFA të zhvillimit të ndeshjeve në Bjellorusi, i jep një avantazh komod kampiones së Shqipërisë. Me një mbrojtje të organizuar dhe sulmin efikas, Egnatia synon të vazhdojë ëndrrën europiane.
Prishtina – Larne (20:45, “Fadil Vokrri”)
Pas një barazimi pa gola në Irlandën e Veriut, Prishtina ka shansin për të zgjidhur gjithçka në shtëpi. Përballë një rivali fizikisht të fortë, por teknikisht të limituar, skuadra nga kryeqyteti i Kosovës do të kërkojë që me përkrahjen e tifozëve të kalojë më tej.
Një fitore e thjeshtë do mjaftonte, ndërsa çdo barazim do ta çonte ndeshjen në shtesë.
Nënkampionët e Kosovës kanë hedhur një hap të madh drejt turit të tretë falë fitores 4-2 ndaj Florianës së Maltës.
Trajneri Orges Shehi pritet të ruajë një qasje të kujdesshme në transfertë, duke synuar menaxhimin e rezultatit. Një gol i shpejtë mund të mbyllë çdo diskutim.
