Jonathan David prezantohet tek Juventusi: 25 gola si te Lille? Mund ta arrij këtë shifër
Jonathan David është prezantuar sot, zyrtarisht, si sulmuesi më i ri i Juventusit dhe ka treguar ambiciet e tij të mëdha për sezonin e ardhshëm.
Kanadezi, që erdhi te bardhezinjtë si lojtar i lirë pas tri sezoneve të shkëlqyera te Lille, ku shënoi 77 gola, është shprehur se synon të përsërisë shifrat e tij të larta edhe në Serie A.
“Puna ime është të shënoj gola dhe mendoj se mund të arrij sërish 25 si te Lille. Juventus është një klub ambicioz dhe unë jam këtu për t’u bërë një nga golashënuesit më të mirë në botë.
Do të jetë një sfidë e madhe sepse Serie A është më taktike dhe më mbrojtëse, por unë besoj se mund t’ia dal,” tha 25-vjeçari në konferencën për shtyp, nën vëzhgimin e drejtuesve Comolli, Chiellini dhe Modesto.
David tregoi gjithashtu se ka pasur biseda shumë pozitive me trajnerin Igor Tudor: “Jam i ri këtu dhe ai më sqaroi pritshmëritë e tij për mua si qendërsulmues.
Nuk pres të jem gjithmonë titullar, por do të jap gjithçka. Skuadra më ka ndihmuar shumë që në javën e parë.”
I pyetur për zgjedhjen e Juventusit mes shumë ofertave në Itali dhe Premier League, David tha: “E doja shumë këtë klub. Për Juventusin fola me drejtuesit dhe shokët e skuadrës dhe vendosa të vij këtu.
Çdo sezon mund të jetë ai i duhuri për të fituar titullin. Kampionati është i vështirë, por duhet të kemi ambicie për të shkuar deri në fund.”
Sa u përket objektivave personale, sulmuesi kanadez ishte i qartë: “Nuk dua të flas për Topin e Artë, por jam këtu sepse dua të bëhem një nga sulmuesit më të mirë në botë.
Juventusi është një klub i madh që ka pasur legjenda si Del Piero, Trezeguet, Cristiano Ronaldo, Higuain e Dybala.”
David do të luajë me fanellën me numrin 30: “E zgjodha për babanë tim. Kam nisur të luaj për të dhe është një mënyrë për t’ia dedikuar atij këtë etapë të re.
Jam shumë besimtar dhe mendoj se besimi është i rëndësishëm për të arritur majat.”
Sulmuesi, i mbiquajtur “Ice Man” për qetësinë e tij në fushë, u shpreh se kjo cilësi e ndihmon në momentet e presionit: “Kam shënuar shumë herë ndaj skuadrave të mëdha sepse jam kompetitiv dhe e dua golin. Idhujt e mi kur isha i vogël? Drogba dhe Eto’o.”
