Të hash shëndetshëm gjatë verës, nutricionisti Pavli Brozi jep “recetën” perfekte

Të hash më pak gjatë verës vjen natyrshëm dhe madje pa u ndjerë të privuar.

Por të jemi të hidratuar dhe të ushqyer njëkohësisht është tepër e rëndësishme për një shëndet të mirë.

Kjo pasi në stinën e verës, dieta duhet të jetë e kufizuar në proteina pasi ato rrisin nxehtësinë që çlirohet nga trupi gjatë tretjes dhe vështirëson përballjen me temperaturat e larta.

Për të mësuar më shumë se çfarë duhet të hamë në këtë periudhë nutricionisti Pavli Brozi dha në studion e lajmeve në “Ora News” dhe rekomandimet e tij.

“Një person që shton peshë në verë është një person që dëshmon se shumë gjëra po i bën gabim. Po bën aq shumë sa nuk ka më mundësi ku të gabojë më shumë.

Në verë humbasim peshë, pasi kemi më pak uri gjatë kësaj stine. Metabolizmi ynë djeg më shumë kalori, sepse mundohet të mbajë trupin e freskët nëpërmjet djersitjes.

Po ashtu, jemi më pak të uritur se sa në sezonin e dimrit dhe kemi më pak nevojë për ushqim.

Ushqimet që ne konsumojmë në verë janë më të lehta se ato të dimrit. Janë më me pak yndyrna dhe i këshilloj të gjithë që ta shmangin përdorimin e yndyrnave në ushqim.

Një faktor se pse ne humbasim peshë në verë është dhe fakti që dita është më e gjatë”, u shpreh ndër të tjera  nutricionisti Pavli Brozi.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME NUTRICIONISTIN PAVLI BROZI