VIDEO/ Zjarri në Sasaj, Balluku: Të gjitha strukturat në gatishmëri për izolimin e vatrave
Mbrëmjen e së dielës në fshatin Sasaj të Himarës era ka favorizuar përhapjen e flakëve.
Pas mesnate zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në vendngjarje, ku deklaroi se po punohet për menaxhimin e situatës së krijuar nga flakët e zjarrit.
Së bashku me kryebashkiakun e Himarës Vangjel Tavo, Balluku u shpreh se janë kërkuar disa forca për të ndihmuar në evakuimin e banorëve, të cilët sipas saj, nuk kanë dëshirë të largohen nga pronat e tyre.
Balluku tha se, “që prej ditës së djeshme ka pasur dy vatra aktive, në këtë zonë dhe për shkak të erërave të forta që fryjnë, zjarri po zbret në zonat e banuara. Këtu janë rreth 30 banorë që jetojnë në zonë, ndërsa banesa janë më shumë. Këtu janë të dislokuara të gjitha forcat dhe grupet e emergjencës civile, bashkë me mjetet që ka Bashkia Himarë”.
Balluku njoftoi se forca të tjera kanë shkuar në ndihmë për menaxhimin e situatës dhe evakuimin e banorëve.
“Po marrim masa që e gjithë zona përreth dhe afër të jetë e hidratuar dhe e lagur”, njoftoi Balluku, teksa bëri të ditur se, “ka vatra aktive, ku po punohet për shuarjen e tyre”.
“Jemi duke akumuluar dhe duke sjellë të gjitha forcat Bordet e Kullimit dhe OSHEE-së, që të bëhen bashkë, për të vendosur pompat me shytje në një kanal që ndodhet në luginën e Sasajt dhe dërgon ujë deri në Bunec. Këtu ka ardhur ushtria, janë forcat zjarrfikëse, Policia e Shtetit, të gjithë jemi në këmbë. Megjithëse era nuk na favorizon dhe po punojmë për izolimin e vatrave në Sasaj, por po punojmë edhe për menaxhimin e vatrave të zjarrit në Lukovë dhe pjesë të tjera të bregdetit”, theksoi Balluku.

