Flamuri ynë – gjaku ynë, nderi ynë, jeta jonë
Ka gjëra në jetë që nuk maten me para, me diploma apo me sukses. Ka gjëra që ndjehen thellë, aty ku fjalët nuk mjaftojnë – si krenaria për flamurin tonë kuqezi.
Ky flamur nuk është thjesht simbol. Është histori. Është dhimbje dhe lavdi. Është zëri i gjyshërve tanë që luftuan, që u flijuan, që e deshën këtë atdhe me shpirt.
Në damarët tanë rrjedh gjaku i tyre — gjaku i shqiptarëve që nuk u përkulën kurrë.
Sot, dy djemtë e mi janë të arsimuar, të formuar, me vlera të forta, me arritje të mëdha – dhe mbi të gjitha, janë krenarë për këtë flamur. E dinë se kush janë. E dinë se nga vijnë. Dhe unë si nënë, s’mund të jem më e lumtur e më krenare.
Por më thellë se çdo diplomë, qëndron emri që unë mbaj me nder: stërmbesa e patriotit Malk Zhvarishti, një ndër ata burra që nuk u dorëzuan kurrë. Ai dhe shumë të tjerë u ngritën për këtë flamur, për këtë tokë, për këtë emër: Shqipëri.
Mos e përulni këtë flamur. Mos e shkelni. Mos e harroni.
Se është amaneti i gjakut tonë, është loti i nënave tona, është kënga e trimave tanë.
Ky flamur na bashkon të gjithëve, na mban gjallë, na kujton se kush jemi.
Lavdi përjetë atyre që e nderuan!
Nder dhe përgjegjësi për ne që e trashëgojmë!

