Zyrtare/ Talenti spanjoll i bashkohet Arsenalit, një përforcim i rëndësishëm për të ardhmen
Arsenali ka konfirmuar zyrtarisht afrimin e mbrojtësit të talentuar spanjoll, Cristhian Mosquera, i cili ka firmosur një kontratë afatgjatë me klubin londinez.
21-vjeçari vjen nga Valencia pas një sezoni të jashtëzakonshëm në La Liga, ku ishte një pikë kyçe në mbrojtjen e skuadrës spanjolle.
Mosquera ka një të kaluar të pasur me klubin valencian, ku debutoi në moshën 17-vjeçare në Kupën e Mbretit dhe vetëm pak ditë më vonë në La Liga, përballë Sevillas.
Që nga promovimi zyrtar në ekipin e parë në fillim të sezonit 2023/24, ai u bë shtyllë në prapavijën e Valencias, duke luajtur titullar në 37 nga 38 ndeshjet e kampionatit të kaluar.
I lindur në Spanjë, por me origjinë kolumbiane, Mosquera ka përfaqësuar Spanjën në 34 ndeshje me ekipet e moshave, duke kulmuar me suksesin e arritur në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, ku fitoi medaljen e artë.
Drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, u shpreh:
"Jemi shumë të lumtur që kemi nënshkruar me një lojtar kaq të talentuar si Mosquera.
Ai është një nga mbrojtësit më premtues në futbollin europian dhe përbën një investim kyç për të ardhmen e klubit."
Ndërkohë, trajneri Mikel Arteta theksoi:
"Cristhian është një lojtar inteligjent, me ritëm të mirë dhe aftësi për të luajtur në qendër dhe në të dy krahët e mbrojtjes.
Ka potencial të jashtëzakonshëm dhe do të përshtatet mirë me stilin tonë. Jemi të lumtur që na është bashkuar."
Mosquera do të mbajë fanellën me numrin 3 dhe do t’i bashkohet ekipit në turin përgatitor të verës në Azi.
Transferimi mbetet në pritje të finalizimit të procedurave administrative.
