Emerson Royal largohet drejt Flamengo-s, Milani fiton 10 milionë euro, pritet lëvizja edhe për Bennacer

Milani vazhdon pastrimin e skuadrës dhe mbushjen e arkës për përforcimet e reja. Emerson Royal është zyrtarisht largimi më i fundit nga kuqezinjtë.

Mbrojtësi brazilian do të rikthehet në vendlindje për t’u bashkuar me Flamengon, që ka paguar 10 milionë euro për të siguruar kartonin e tij.

Një përfitim i papritur për Milanin, që ka pranuar menjëherë ofertën e klubit brazilian për një transferim përfundimtar, shumë më bindës se oferta paraprake e Besiktasit, që parashikonte vetëm huazim me të drejtë blerjeje.

Pasi turqit u tërhoqën nga bisedimet, Flamengo përfitoi dhe mbylli me sukses marrëveshjen.

Në skenën e largimeve pritet edhe Ismael Bennacer. Mesfushori algjerian nuk është më pjesë e planeve të Massimiliano Allegrit dhe nuk është përfshirë në turneun aziatik të skuadrës.

Drejtori sportiv Igli Tare shpreson të arkëtojë një shumë të ngjashme me atë të Emersonit, rreth 10 milionë eur, për kartonin e Bennacer.

Për momentin, më konkret është interesi nga Al Ittihad në Arabinë Saudite, që e ka mesfushorin si prioritet për repartin qendror.

Megjithatë, Marseille nuk e ka hequr dorë plotësisht nga ai, pavarësisht se nuk e bleu pas huazimit.

Francezët mund të rikthehen në garë, por vetëm me kushte më të favorshme ekonomikisht.

Ndërkohë, Milani është duke punuar edhe për zgjidhjen e situatave të tjera.

Noah Okafor është ofruar te Bologna dhe pritet një marrëveshje për huazim me të drejtë blerjeje, me opsion që mund të bëhet i detyrueshëm në kushte të caktuara.

Sa i takon Lorenzo Colombo-s, Genoa është në ‘pole position’ për shërbimet e tij, duke lënë pas Parmën.

Edhe ky operacion pritet të mbyllet në formën e huazimit me detyrim blerjeje në rast shpëtimi nga rënia.

Milani, megjithatë, synon të mbajë të drejtën e riblerjes në të ardhmen.

Në prapaskenë, vëmendja është gjithashtu te rikthimi i mundshëm i Álvaro Moratës në Serinë A, me Galatasaray që duhet të japë dritën jeshile për largimin e tij. Sulmuesin spanjoll e pret Cesc Fabregas në Como.