Izraeli godet rezidencën e OBSH-së në Gaza, Guterres: Linjat e fundit të jetës që mbajnë njerëzit gjallë po shemben
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se ushtria izraelite sulmoi rezidencën e stafit të saj dhe depon kryesore në Deir al-Balah, duke kompromentuar operacionet e saj në Gaza.
Sipas OBSH u sulmuan tre here nga ajri duke shkaktuar dëme të mëdha, si dhe rrezikuar stafin dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijët.
“Ushtria izraelite hyri në ambientet e ndërtesës, duke i detyruar gratë dhe fëmijët të evakuoheshin në këmbë. Meshkujt që ishin pjesë e stafit dhe anëtarët e familjes u prangosën, u zhveshën, u morën në pyetje në vend dhe u kontrolluan me armë”, tha OBSH-ja.
Drejtori i përgjithshëm i saj, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se organizata kërkon lirimin e menjëhershëm të stafit të ndaluar.
Të hënën, tanket izraelite hynë për herë të parë në distriktet jugore dhe lindore të Deir al-Balah.
Zona është e mbushur me palestinezë të zhvendosur gjatë më shumë se 21 muajve të luftës në Gaza , qindra prej u larguan pasi Izraeli lëshoi një urdhër evakuimi, duke thënë se synonte të shkatërronte infrastrukturën dhe aftësitë e grupit militant Hamas.
Në përditësimin e saj të përditshëm, ministria e shëndetësisë e Gazës tha të hënën se të paktën 130 palestinezë ishin vrarë dhe më shumë se 1,000 të tjerë ishin plagosur nga të shtënat me armë zjarri dhe sulmet ushtarake izraelite në të gjithë territorin në 24 orët e fundit, një nga shifrat më të larta të tilla në javët e fundit.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, reagoi menjëherë.
“Linjat e fundit të jetës që mbajnë njerëzit gjallë po shemben”, tha ai.
Izraeli ka detyrimin të lejojë dhe lehtësojë me të gjitha mjetet në dispozicion ndihmën humanitare të ofruar nga Kombet e Bashkuara dhe nga organizata të tjera humanitare, tha ai. Ushtria izraelite nuk ka komentuar për incidentin.

