Shtëpia e Bardhë refuzon praninë e WSJ në vizitën e Trump në Skoci
Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të largojë ”Wall Street Journal” (WSJ) nga grupi i gazetarëve që shoqërojnë Presidentin e SHBA-së Donald Trump në një udhëtim në Skoci për shkak të “sjelljes mashtruese dhe shpifëse” të gazetës.
“Trembëdhjetë media të ndryshme do të marrin pjesë në grupin e gazetarëve për të mbuluar udhëtimin e presidentit në Skoci”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.
“Për shkak të sjelljes mashtruese dhe shpifëse të ‘Wall Street Journal’, ajo nuk do të jetë një nga 13 mediet në bord”, shtoi ajo.
Gazeta online ”Politico” kishte raportuar për herë të parë për përjashtimin e WSJ nga udhëtimi.
Të enjten e kaluar, WSJ publikoi një histori që përshkruante një letër që dyshohet se mbante firmën e Trump si pjesë e një albumi që i burgosuri famëkeq për sulme seksuale, Jeffrey Epstein mori për ditëlindjen e tij të 50-të në vitin 2003.
”Letra ishte shkruar brenda skicës së një gruaje të zhveshur”, sipas WSJ-së.
Një ditë më vonë, Trump paditi botuesin e WSJ, ”Dow Jones”, ”News Corp”, pronarin Rupert Murdoch, drejtorin ekzekutiv Robert Thomson dhe dy gazetarë për këtë histori duke kërkuar të paktën 10 miliardë dollarë dëmshpërblim.
Epstein vdiq në vitin 2019 në një qeli burgu në Nju Jork në moshën 66-vjeçare, në atë që zyrtarisht u etiketua si vetëvrasje.
WSJ në historinë e saj përshkroi letrën, e cila dyshohet se mbante një mesazh seksualisht sugjestiv nga Trump drejtuar Epstein për ditëlindjen e tij të 50-të.
Letra nuk është publikuar.
Padia e Trump thotë se “nuk ekziston asnjë letër apo vizatim autentik” dhe se ”autorët e kanë sajuar këtë histori për të njollosur karakterin dhe integritetin e presidentit Trump dhe për ta portretizuar atë në mënyrë mashtruese, nën një fokus të rremë”.

