Lufta në Ukrainë/ TASS: Raund i ri i bisedimeve Moskë-Kiev do të mbahen në Stamboll!
Agjencia ruse e lajmeve TASS duke cituar një burim ka bërë me dije se Stambolli pritet të jetë vendi ku do të zhvillohet raundi i ardhshëm të bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës. Një burim tjetër pranë ekipit negociator rus konfirmoi se Ukraina i kishte propozuar Rusisë të zhvillonte një raund të ri bisedimesh javën e ardhshme.
"Po, Stambolli është një vend i pranueshëm", tha burimi , duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me mundësinë e zhvillimit të fazës së re të negociatave atje.
Qëllimi për një raund të ri bisedimesh u konfirmua edhe nga Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Sipas tij, propozimi i Rusisë për bisedime u njoftua gjatë kontakteve në Stamboll nga kreu i misionit negociues ukrainas dhe sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov.
Ende nuk është caktuar një datë por Zelenskyy theksoi se negociatat duhet të intensifikohen dhe se duhet bërë gjithçka për të arritur një armëpushim. Ai shprehu edhe gatshmërinë që të flasë drejtpërdrejt me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
"Një takim në nivelin më të lartë është i nevojshëm për të siguruar vërtet paqen", tha ai.
Takimi i fundit midis dy palëve u zhvillua në qershor. Në atë kohë, Rusia kishte kërkuar përsëri që Ukraina të lëshonte katër provincat në pjesën e saj lindore dhe të hiqte dorë nga çdo ndihmë ushtarake nga Perëndimi. Kievi i hodhi poshtë "ultimatumet", siç i quante ato, dhe vuri në dyshim gatishmërinë e Moskës për të negociuar një armëpushim. Rezultati i vetëm i dy takimeve të njëpasnjëshme që delegacionet ruse dhe ukrainase patën në Stamboll dhe ishte marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve.
Kthimi i të dy palëve në tryezën e negociatave ringjall "shpresa" për njëfarë përparimi në fushën diplomatike, mes përplasjeve të vazhdueshme dhe pasigurisë rreth së ardhmes së konfliktit mes dy vendeve.
