Reportazh: Maranello, aty ku Ferrari fluturon edhe mbi "vela"
Në rajonin e Emilia- Romagna, mes kodrave të buta dhe peisazheve idilike, ndodhet një qytet që rreh me zemrën e një motori të shpejtë: Maranello. Ngjan me një komunë të zakonshme, por për botën është më shumë se kaq — është shtëpia e Ferrari-t, simbolit të pasionit italian për shpejtësinë, elegancën dhe përsosmërinë.
Në vitin 1943, Enzo Ferrari vendosi të zhvendosë fabrikën e tij nga Modena në këtë qytezë të qetë e ta shndërrojë në qendrën e inovacionit dhe mjeshtërisë italiane.
Sot, rreth 4,000 punonjës janë pjesë e kompleksit industrial që prodhon makinat më të dëshiruara në botë. Por ky nuk është një prodhim masiv e anonim. Brenda fabrikës, ndodh dicka unike: artizanati bashkëjeton me teknologjinë..
Për vizitorët, përvoja nuk përfundon në rrugët e qytetit. Muzeu Ferrari në Maranello është një rrugëtim përmes historisë, garave dhe ëndrrave që kanë pushtuar pistat dhe rrugët e botës.

Brenda ekspozitës, vizitorët shohin makina legjendare, trofe, motorë, e madje mund të përjetojnë edhe simulime garash. Është një muze, por edhe një tempull i emocioneve.
Ndërsa për banorët, Ferrari është më shumë se lavdi o famë. Është një pjesë e jetës së tyre të përditshme. Cdo familje në Maranello ka dikë që ka punuar, ose ende punon, në fabrikë. Fëmijët rriten me historinë e Cavallino Rampante ndërsa komuniteti jeton në ritmin e garave, zhvillimeve të reja dhe emocioneve të përbashkëta.
Dhe është pikërisht këtu, në këtë qytet të vogël që ka prekur botën, ku ekselenca e gjenialitetit italian takohet me punën, natyrën dhe komunitetin. Në Maranello, makina nuk është vetëm mjet — është identitet, trashëgimi dhe krenari e përbashkët. Një vend ku çdo motor që ndizet, bart me vete një histori që vazhdon të shkruhet, çdo ditë.
Në hyrje të Maranellos, gjithçka fillon me një ndërtesë të vogël me pesë dritare. Janë më të vogla se mesatarja, të vendosura në një lartësi ku një person i ulur mund të shohë përmes tyre.
Aty është zyra historike e Enzo Ferrari-t, themeluesit të perandorisë që ndryshoi përjetësisht industrinë automobilistike italiane dhe botërore. Nga ato dritare vëzhgohej çdo makinë që hynte e dilte nga porta qendrore — një ritual që vijon ende sot, 77 vite pas lindjes së brandit.
Kjo ndërtesë e thjeshtë është simboli i trashëgimisë. Një vend ku koha nuk kalon, dhe ku çdo centimetër frymon motor, precizion, pasion.

Por sot, Ferrari nuk është më thjesht një makinë — është një vizion që ka vendosur të zgjerojë horizontin… deri në oqean.
Hypersail – Ferrari që fluturon mbi ujë
Nga pistat e Formula 1 në sipërfaqet e dallgëve: ky është projekti Hypersail, një iniciativë unike që për herë të parë lidh botën e automobilizmit me atë të lundrimit oqeanik. Një anije me vela, futuriste, e konceptuar për të “fluturuar” mbi det duke përdorur energji tërësisht të pastër dhe teknologji të nivelit më të lartë.
Hypersail është projektuar nga dizenjatori francez Guillaume Verdier dhe drejtohet nga Giovanni Soldini, një ndër emrat më të njohur në garat e lundrimit në distanca të gjata.
Anija do të jetë 100% e vetë-furnizuar me energji, e ndërtuar mbi tre bazamente mbështetëse, që do të mundësojnë stabilitetin dhe ngritjen mbi sipërfaqen e ujit — një prototip i paprecedentë në përmasa dhe performancë.
Aktualisht në ndërtim në Itali, ajo pritet të zbresë në ujë për testimet e para në vitin 2026.


