Nxehtësia ekstreme rrezikon jetën detare! Temperaturat e detit tejkalojnë 30°C. Shkencëtarët të alarmuar
Një valë nxehtësie detare ka përfshirë Mesdheun me pasoja të rënda për jetën nënujore. Temperatura e sipërfaqes së detit ka kaluar 30°C në shumë zona, deri në 6-7 gradë mbi normalen. Shkencëtarët paralajmërojnë rrezik për ngordhje masive të specieve detare dhe pasoja për peshkimin. Nxehtësia ka rënë disi, por situata mbetet shqetësuese.
Pushuesit në Mesdhe mund të kenë përjetuar ditë të bukura me ujë deti të ngrohtë këtë verë, por për jetën detare, kjo nxehtësi është e rrezikshme.
Në qershor dhe fillim korriku, temperatura e sipërfaqes detare në perëndim të Mesdheut, sidomos pranë Majorkës, ka kaluar 30 gradë Celsius duke shënuar një nga valët më ekstreme të regjistruara ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.
Këto temperatura janë më të larta se ujërat e pishinave për fëmijë dhe shumë mbi mesataren normale të zonës.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja e tillë mund të shkaktojë ngordhje të masive të specieve, si barërat e detit dhe algat që luajnë rol thelbësor në ekosistem.
Ekologët flasin edhe për “efekte nën prag” ku organizmat nuk ngordhin menjëherë, por hyjnë në gjendje mbijetese dhe nuk riprodhohen, duke kërcënuar zinxhirin ushqimor në det.
“Katër vite më parë pashë skelete të gjalla në fund të detit”, thotë një ekologe spanjolle.
Ekspertët theksojnë se ngrohja globale është shkaku kryesor, me detin që “përthith” nxehtësinë nga atmosfera. Mesdheu, si një “vaskë e mbyllur”, ngrohet më shpejt dhe freskohet më pak se oqeanet e hapura.
Përveç dëmeve ekologjike, deti i ngrohtë shkakton më shumë avullim – duke rritur rrezikun për reshje ekstreme dhe përmbytje si në Libi në 2023 apo Valencia në 2024.

