Shtyhet vendimi për rrëmbimin e Jan Prengës/ SPAK: Burg të përjetshëm për kopshatrin e “Golden Resort”. Festim Bexhdili: Drejtësinë ia lë Zotit dhe Gjykatës
Prokuroria e Posaçme ka lexuar konkluzionet përfundimtare për kopshtarin e “Golden Resort”, Festim Bexhdili.
Çështja ndaj tij u kthye për rigjykim pasi Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesën e tij për rishqyrtim, pasi në dy shkallët e gjyqësorit u dënua me burgim të përjetshëm.
Prokuroria e Posaçme kërkoi në gjykatë që Festim Bexhdili të mbyllet në burg për jetë si pjesë e grupit që rrëmbyen dhe vranë Jani Prengën.
Sipas SPAK, është provuar se rrëmbimi i Jan Prengës lidhet me faktin se vëllai i Janit ka vjedhur një sasi droge.
Të dhënat, thotë SPAK, janë zbuluar nga komunikimet SkyEç, mes Dritan Rexhepit dhe Gentian Funiqit, të cilët flasin për një person të quajtur “Bing Beng”, që kanë bërë lidhjen me vëllain e Jan Prengës.
Festim Bexhdili duhet të dënohet për veprat penale si “rrëmbim me pasojë vdekjen”.
Rrëmbimi i Jan Prengës provon faktin se ka qenë i paramenduar pasi viktima është ndjekur për disa ditë deri sa kanë gjetur mundësi për ta rrëmbyer.
Ai ka qenë me bashkëshorten dhe sapo është ndarë nga ajo grupi ka vënë në zbatim planin duke e rrëmbyer.
Duke qenë se viktima është ndjekur për disa ditë, thotë SPAK-u, është logjikshëm që grupi ka bërë planin edhe për mbajtjen e pengut.
Festim Bexhdili ditën e ngjarjës ka pasur vendndodhje të ndryshme nga kompleksi “Golden”.
Nga pamjet filmike zbulohet se Festim Bexhdili në orën 10:57 ka shkuar në drejtim të Shijakut dhe më pas shfaqet në komplesin “Golden”.
Ai nxiton në drejtim të garazhdit ku në dorë mban një telefon të bardhë. Më pas në garazhd hynë Altin Hajri me një makinë “Audi”.
Në komunikimet “Sky” të Altin Hajrit, i pandehuri Festim Bezhdili duket dukshëm se në këto komunikime do dilte edhe roli i tij.
SPAK-u thotë se edhe Festim Bexhdili ka pasur rol aktiv në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.
Ndërsa prokurori Behar Dibra ishte kundër koleges se tij Elida Kaçkini, për mbylljen për jetë të kopshtarit Festim Bexhdili.
Ai i kërkon gjykatës të rikualifikojë veprën penale, pasi vdekja e Jan Pregës nuk ka ardhur nga ai.
Prokurori Behar Dibra kërkon deklarimin fajtor të Festim Bexhdilit dhe dënimin e tij me 20 vite burg.
Festim Bexhdili: "Nuk jam dakord me pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës. Kam qenë në vendin e gabuar, jam hallexhi dhe isha në punë. Ja lë në dorë të Zotit dhe të Gjykatës për një vendim të drejtë".
Pas këtyre deklaratave, Gjykata u shpreh se vendimi do të shpallet më datën 25 korrik, ora 11:00.


